“Miqtë e Tokës” ka organizuar mbjelljen e drunjve dhe pastrimin e hapësirave në lagjet e Prishtinës.
Ata aktivitetin e tyre e kanë filluar nga sheshi “Edit Durham”, ku një grup i nxënësve kanë pastruar ambientet nga mbeturinat si dhe kanë ndihmuar kompaninë “Hortikultura” e kontraktuar nga komuna për mbjelljen e drunjve, raporton Ekonomia Online.
Daliona Sopjani nxënëse në Camridge School tha se organizimet e tilla duhet të jenë më të shpeshta në mënyrë që qyteti të jetë më i pastër.
“Ne kemi dalë sot këtu për të mbjell drunj dhe për të pastruar disa pjesë të qytetit. Jemi më shumë se 20 nxënës nga shkolla “Cambridge School”, dhe qëllimi ynë është që të kemi një ambient më të pastër”, tha ajo.
Ndërkaq Somea Zogaj tha se organizata “Miqtë e Tokës” ekziston tash e 19 vite dhe qëllim kryesor ka pastrimin e ambientit.
“ky aktivitet i sotëm ka të bëjë me Ditën Ndërkombëtare të Tokës. Ne si nxënës kemi dalë që sadopak të pastrojmë disa pjesë të qytetit në mënyrë që të kemi hapësira më të pastra. Organizata “Miqtë e Tokës” funksionon tash e 19 vite dhe kjo nuk është hera e parë që kemi dalë të pastrojmë”, tha ajo.
Organizata “Miqtë e Tokës” gjatë ditës së sotme ka paralajmëruar edhe shumë aktivitete të tjera, në disa lagje të Prishtinës.