Pas propozimit të Ligjit të Sponsorizime nga ana e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, pas miratimit në Qeveri dhe leximit të parë në Kuvendin e Kosovës, akti normativ në fjalë, miratohet në lexim të dytë sot, nga deputetët e Kosovës.
Ky ligj ka për qëllim që të rregullojë kushtet, përkrahjen dhe mbështetjen financiare dhe përcakton përfitimet për sponsorët dhe donatorët që financojnë aktivitetet në fushat e kulturës, rinisë dhe sportit.
Me këtë akt ligjor, për herë të parë vihen bazat juridike për trajtimin, rregullimin dhe njohjen e sponsorizimeve dhe të donacioneve për të krijuar kushte më të mira për fushat e lartpërmendura.
Ligji për sponsorizime do të rregullojë marrëdhëniet, kushtet dhe nivelin e lehtësirave financiare për personat fizikë dhe juridikë, të cilët me vullnet të lirë sponsorizojnë apo bëhen donatorë të këtyre fushave me interes të veçantë publik.
Kontrollimin e shfrytëzimit të Sponsorizimit dhe Donacioneve, në bazë të ligjit do ta realizojnë Administrata Tatimore e Kosovës dhe organet tjera kompetente, duke e pasur të drejtën se në rast të evidentimit të parregullsive të kenë mundësinë e parashtrimit të kallëzimeve penale ose kundërvajtëse sipas legjislacionit në fuqi.
MKRS-ja vlerëson se me kalimin e këtij ligji, krijohen kushte shumë më të volitshme dhe lehtësira financiare për zhvillimin e kulturës, sportit dhe rinisë dhe do të ndikojnë në ngritjen e standardeve dhe cilësisë në këto sfera. Gjithashtu, ky ligj hap rrugën që sektori i biznesit të nxitet që të investojë në fushat e sipërpërmendura dhe kësisoj të kenë lehtësira në tatime.
Ligji do të futet në fuqi 15 ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare.