Miratohet ndihma prej 118 milionë eurosh për Autoritetin Palestinez

Prishtinë | 22 Dhj 2023 | 18:05 | Nga Ekonomia Online

Komisioni Evropian të premten ka njoftuar se ka miratuar një pako ndihmash prej 118 milionë eurosh për të mbështetur Autoritetin Palestinez.

KE-ja ka thënë se ndihma do të ndihmojë për të paguar pagat dhe pensionet e shërbyesve civilë në Bregun Perëndimor, ndihmat sociale për familjet në nevojë dhe mjekimin e pacientëve të dërguar në spitalet e Jerusalemit Lindor, raporton Reuters.

Bashkimi Evropian është, po ashtu, i gatshëm të vazhdojë ta ndihmojë Autoritetin Palestinez në planin afatgjatë, ka thënë kryetarja e KE-së, Ursula von der Leyen.

“Ne po shqyrtojmë një pako më të gjerë afatmesme për vitin e ardhshëm, për të kontribuar për stabilitetin ekonomik dhe politik të Gazës dhe të Bregut Perëndimor, sapo kushtet në terren të lejojnë këtë, si pjesë e përpjekjeve më të mëdha ndërkombëtare për një zgjidhje me dy shtete”, ka deklaruar von der Leyen, nëpërmjet një komunikate.

Të ngjashme