E përditësuar – Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, ka miratuar të martën një ndryshim të propozuar nga deputeti i VV-së, Dimal Basha. Tash parashihet që deputetët që shajnë, ofendojnë e nxisin dhunë të sanksionohen deri në 50 për qind të pagës apo 688 euro, raporton Ekonomia Online.
Po ashtu parashihen masa sanksionuese si vërejtje me shkrim e nëse ka shkelje të rëndë të përsëritur shqiptohet vërejtja me shpallje publike në uebfaqen e Kuvendit dhe deklarim të shkeljes në seancën e ardhshme.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, ka propozuar që deputetëve me sjellje të këqija t’u hiqen tri paga.
“Me nenin 26 paragrafi c, d mendoj që po dënohet GP, po dënohet qytetari por jo deputeti. Nuk po me duket e logjikshme të dënohet dikush tjetër për sjelljen e pandërgjegjshme të deputetit. Unë propozoj që ndëshkimi të mos jetë 20 për qind, por të jetë deri në 3 paga”, ka thënë ai.
Deputeti tjetër i Vetëvendosjes, Adnan Rrustemi, ka thënë se sanksionimi bëhet me qëllimin që të shihet edhe si presion.
“Nuk është çështja vetëm e ndëshkimit të deputetit, por edhe entitetit politik të grupeve parlamentare, që i takon në kuptim të vështirësisë së vendimmarrjes sepse e implikon punën e tyre në komisione. Kjo shërben si presion”, ka thënë ai duke u dakorduar që të rritet në 20 për qind sanksionimi për deputetët.
Ndërsa deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, ka thënë se duhet të ketë çështje që mund të zbatohen.
“Unë kam dilemat e mija nëse dikush e dërgon në kushtetuese këtë. A është kushtetuese apo jo? Sepse mandati i deputetit është i lirë i përgjigjet vetëm qytetarit askujt tjetër. Ky kod etik nënkupton shumë në sjelljet morale të njerëzve, është bukur e ndjeshme”, ka thënë ai.
Deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë se pas miratimit të rregullores së punës së Kuvendit, miratimi i kodit të sjelljes për deputetët e Republikës së Kosovës, pa dyshim është një akt i cili do të ndihmojë jo vetëm funksionimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës por sipas tij, do të krijojë obligime, sanksionime dhe do të themelojë një organ të ri i cili ka një rëndësi të jashtëzakonshme.
“Ky takim i komisionit për Legjislacion ka një rëndësi të veçantë për shkak se është mbledhur që të miratojë një dokument respektivisht një kod të sjelljes së deputetëve i cili nuk ka ekzistuar deri më tani, ashtu siç e tha kryetari Rrustemi. Pas miratimit të rregullores së punës së Kuvendit, miratimi i kodit të sjelljes për deputetët e Republikës së Kosovës pa dyshim është një akt i cili do të ndihmon jo vetëm funksionimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës mirëpo do të krijojë obligime, sanksionime dhe do themelojë një organ të ri i cili ka një rëndësi të jashtëzakonshëm”.
“Kodi i sjelljes për deputetët e Republikës së Kosovës është i shkurtë por në esencë është një mjet pune, ku përcaktohen shumë saktësisht detyrimet, fushëveprimi qëllimi mirëpo edhe themelimi i një organi të ri. Kodi përcakton rregullat dhe standardet etike të deputetëve të Republikës së Kosovës. Ajo çka mund të them të gjitha dhe që e vlerësoj se parimet që i kemi ndërtu dhe në këtë kod janë parime që burojnë edhe nga institucionet më demokratike duke përfshi edhe Kongresin Amerikan që kemi qenë për vizitë”, ka thënë Tahiri.