Kuvendi i Kosovës e ka miratuar në parim Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
“61 deputetë kanë votuar për këtë projektligj. 58 vota janë për, 3 deputetë kanë abstenuar, kështu që konstatoj se Kuvendi e miratoi në parim Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme”, tha kryetari i Kuvendit.
Kryeparlamentari Glauk Konjufca dhe deputetja Doarsa Kica abstenuan, raporton Gazeta Express.
Paraprakisht, kryeministri Albin Kurti tha se “jemi të gatshëm të vazhdojë procesi i konsultimeve me të gjitha partitë”.
“Është e domosdoshme që të kemi sa më shumë konsultime… Byroja Shtetërore dhe vettingu në sistemin e drejtësisë nuk janë e njëjta gjë”, tha ai.
Opozita kundërshtoi dhe kërkoi që ky projektligj, të cilin e konsiderojnë kundërkushtetues, të mos hedhet në votim.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku tha se kërkojnë gjithpërfshirje në reformën në sistemin e drejtësisë.
“Në qoftë se kryeministri vendos të shkojë pa konsultim, atëherë vazhdoni. Rruga e mbarë ju qoftë”, tha ai ndër tjerash, duke thënë se do të ndjekin rrugën institucionale.
“Propozimi im është që deri ta kemi një konkluzion për nismën tuaj për koordinim për procesin e vettingut, të mos votohet as ky projektligj. Besoj që pajtimi ishte që të kemi një pajtim”, tha ndërkaq shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi. Ai paralajmëroi edhe dërgimin e projektligjit në Gjykatën Kushtetuese.
Shefi i grupir parlamentar të PDK-së, tha se dje u takuan dhe u morën vesh për t’i trajtuar “në pako” çështjet e vettingut.
Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, tha po ashtu se duhet të ketë dakordim që, siç tha, “nëse do të ketë ndryshime kushtetuese, të ketë konsensus”.
Ai tha se projektligji bie ndesh me Kushtetutën dhe se ai duhet të kthehet dhe të diskutohet.
Por ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe vërejtjet e opozitës mund të adresohen pas votimit të projektligjit në lexim të parë.
“E kemi diskutu edhe para opinionit të Venecias, edhe pas opinionit të Venecias. Qëndrimi i Qeverisë është që ky projektligj të vendoset në votim sot në parim, e pastaj të gjitha rekomandimet e Komisionit të Venecias të adresohen”, tha Haxhiu.