Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, shqyrtuan Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjeve që përmbajnë procedura të veçanta administrative dhe harmonizimin e tyre me Ligjin për procedurën e përgjithshme administrative, për fazën e dytë, raporton Ekonomia Online.
Me shumicë votash, të gjitha propozimet e rekomanduara u miratuan dhe projektligji u procedua për shqyrtim nga komisionet e përhershme të Kuvendit.
Tutje, anëtarët e komisionit shqyrtuan rekomandimet e Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere dhe Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike lidhur me Raportin vjetor të RTK-së për vitin 2022. Me shumicë votash komisioni vendosi që Raporti vjetor i RTK-së për vitin 2022 të rekomandohet për seancë plenare.
Kryetari i Komisionit, Valon Ramadani, tha se shumica e ligjeve kanë një ndryshim afatesh që ua mundëson qytetarëve më të lehtë harmonizimin në raport me njëra-tjetrën, raporton Ekonomia Online.
“Shumica e ligjeve kanë ndryshim të afateve që u japin qytetarëve mundësi më të shpejta më të lehta në harmonizim me njëra tjetrën megjithatë ne do të shkojmë nen për nen”, tha Ramadani.
Anëtari i Komisionit, Fitim Haziri, kërkoi shqyrtimin e raportit vjetor të RTK-së, e që u kundërshtua nga deputeti Besnik Tahiri.
“Në qoftë së hymë dhe e ndërpresim punën, kjo punë duhet me fillu pastaj me vazhdu aty ku kemi mbet. Ky proces duhet me u konsumu, nuk shoh urgjencë me u votu raporti i RTK-së”, tha Tahiri.
Tutje, Ramadani ka thënë që të analizohen mundësitë që në një afat sa më të shpejtë RTK të ketë një objekt të përhershëm që i plotëson kushtet e funksionimit të televizionit publik.
“Qeveria e Kosovës në koordinimin me Bordin e RTK-së t’i analizojë mundësit që në një afat sa më të shpejtë RTK të ketë një objekt të përhershëm që i plotëson kushte te funksionimit të televizionit publik”, tha ai.
I njëjti shtoi se komisioni ka rekomanduar që raporti vjetor i RTK-së për vitin 2022 të miratohet, e që me 6 vota për ka marrë miratimin.
Në një përgjigje, Valon Ramadani tha se Komisioni ende nuk ka pas mundësi me u adaptu me formën, kanë dërguar rekomandime në seancë vetëm për performancën.
“Komisioni për buxhet ka dërguar kërkesë për mbikëqyrje, komisioni tjetër për auditim. Me rregulloren e re tri raportet bëhen një rekomandim ku ne si komision e përcjellim dhe diksutohet më kuvend por është menduar të lehtësohet procedura”, tha ai.