Miratohet themelimi i zyrës rajonale për të rinjtë

Prishtinë | 30 Mar 2017 | 14:54 | Nga

Kuvendi i Republikës së Kosovës, në seancën e sotme plenare, ratifikoi Ligjin mbi Marrëveshjen për themelimin e Zyrës Rajonale për Bashkëpunim të të Rinjve në Ballkanin Perëndimor.Nisma për themelimin e Zyrës Rajonale për Bashkëpunim të të Rinjve në Ballkanin Perëndimor doli nga Takimi i Ministrave të Punëve të Jashtme, i mbajtur në Tiranë, në maj të vitit 2015.

Ndërsa, gjatë muajve pasues, qershor dhe korrik, një Grup Fakt-Mbledhës, i përbërë nga përfaqësuesit e Kosovës, Shqipërisë, Malit të Zi dhe Serbisë, me mbështetjen e qeverive të Gjermanisë dhe të Francës, përgatiti Koncept-dokumentin e parë, i cili u bë bazë që në Samitin e Ballkanit Perëndimor të Vjenës të nënshkruhet Deklarata e Përbashkët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimorë, përmes së cilës u krijua edhe Grupi i Punës që pati për detyrë të hartojë të gjitha dokumentet e nevojshme për themelimin e Zyrës Rajonale për Bashkëpunim të të Rinjve.
Ky grup ka patur përfaqësim të barabartë të qeverisë dhe të shoqërisë civile, secila me nga një anëtar, për secilin shtet. Grupi i punues, nga nëntori 2015 deri në shkurt 2016 ka realizuar 4 (katër) takime: në Berlin, Tiranë, Sarajevë dhe në Beograd dhe ka arritur që të prodhojë draftet finale të dokumenteve për themelimin e Zyrës Rajonale për Bashkëpunimin e të Rinjve.
Marrëveshja për themelimin e Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor u nënshkrua më 4 korrik 2016, në Paris, gjatë Konferencës për Ballkanin Perëndimor, në kuadër të Procesit të Berlinit, nga kryeministra e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Shtetet nënshkruese të kësaj marrëveshje janë: Shqipëria, Kosova, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia dhe Serbia.
Zyra Rajonale për Bashkëpunim Rinor selinë do ta ketë në Tiranë, ndërsa, përveç selisë kryesore, do të ketë zyrat përfaqësuese në secilin shtet pjesë të marrëveshjes në fjalë.
Zyra synon të promovojë bashkëpunimin ndërmjet të rinjve të rajonit, promovimin e tolerancës, të solidaritetit, nxitjen e bashkëpunimeve sociale dhe ekonomike etj. Po ashtu, kjo Zyrë do të lehtësojë lëvizjen e lirë e të rinjve në rajon dhe mundësinë e për punësim në vendet përkatëse.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme