Shumë herë kur gjërat duken se po ecin mirë dhe drejtë dhe kur jeta ndërthuret midis vlerave dhe antivlerave, politika luan rrolin e vet.
Muaj më parë të këtij viti, në Ulqin, partitë politike shqiptare, mes veti, nuk gjetën gjuhën e përbashkët për qeverisjen lokale. Partitë shqiptare, ishin në një “luftë” të ashpër politike, për ta diskualifikuar njëra-tjetrën. Shkaktarët e mospajtimeve të liderëve politikë shqiptarë, ishin inatet rreth postit të kryetarit të komunës, i cili u bë mollë sherri, për ndarjen e subjekteve politike në dy blloqe.
Për qeverisjen e vendit, u desh, që secili subjekt shqiptarë, veç e veç, të kërkojë përkrahjen e duhur dhe të sigurojë numrat për asamblenë komunale përmes subjektit politik të Gjukanoviqit, (DPS-it). Dhe pas sorollatjeve të shumta, ndodhi ajo që ndodhi!… Falë pleqnarëve te të fortit, DPS-it, subjektet shqiptare në Ulqin arritën të “bashkohen”, jo për çeshje madhore-kombëtare, jo për interes siç e kërkonte vendi dhe populli, por u “ pajtuan” vetëm e vetëm për të ruajtur interesin dhe pozitat e veta lart në qeveri. Mirëpo, qeverisja lokale e ngritur pas një rikompozimi të imponuar, serish çalon dhe një shthurje pritet të ndodhë, nga se formimi i koalicionit qeverisës nuk u bë mbi baza të shëndosha, të qëndrueshme dhe efikase. Nuk mund të ketë stabilitet në një vend, ku partitë politike shqiptare, hyjnë në koalicion me parti (jo)shqiptare, vetëm e vetëm për ta realizuar aspiratën e vet për pushtet dhe synim jetësor kanë realizimin e planeve të tyre . Jo, zotërinj, Kësaj i thonë: Me të martu me zor…!
Në Ulqin kemi një situatë politike të palogjikshme
Këtu, problemet filluan që në ditët e para të formimit të pushtetit. Aty u pa qartë se disa pjesë të ekzekutivit po vazhdojnë të punojnë me avazet e vjetra. Duke parë zhvillimet e fundit politike dhe polemikat e ashpra të tyre në mes veti, qoftë përmes deklaratave, kumtesave të bëra publike, apo edhe në debatet televizive, del qartë se gjithë kjo k a t r a h u r ë , të jep bindjen se divorci i koalicionit qeverisës në Ulqin do të ndodh shumë shpejt. Përçarjet brenda subjekteve shqiptare në Ulqin, aq shumë janë thelluar saqë, këtë koalicion qeverisës nuk do ta shpëtojë as zgjedhjet parlamentare. E ardhme nuk ndërtohet nga urrejtja ndaj njëri-tjetrit. Ajo ndërtohet me aksione të përbashkëta konkrete. Atëherë, më mirë i divorcuar sesa me një martesë të keqe !.
Nga ana tjetër edhe përkundër kësaj, ditë më parë, disa nga mediet e shkruara dha ato vizive, kanë pasqyruar me tituj bombastik lajmin kinse, shqiptarët në Malin e Zi do të garojnë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare me një listë të përbashkët zgjedhore. Por, të gjithë ato që i përcjellin rrjedhat politike në Mal të Zi e dinë mirë se bashkimi i shqiptarëve në një listë të përbashkët ishte i pamundur !. Subjektet shqiptare edhe kësaj radhe janë të ndara në tri lista zgjedhore. Këtu, e keqja edhe më e madhe qëndron ndër ne, të udhëheqësit tanë. E gjithë kjo, erdhi si rezultat i mos-koordinimit të mendimeve dhe mungesës së një veprimi organizativ, apo më mirë të themi, mungesë e një kulture politike. Autoritetet politike, me siguri, s’e kanë menduar mirë këtë, sepse po të ishte menduar si duhet, nuk do të vepronin kështu të ndarë në disa lista zgjedhore. Ndonëse, përfaqësuesit tanë politik, duke mos lënë mënjanë kokëfortësinë, huqet dhe inatet personale, u ndanë dhe u përçanë, duke reflektuar negativisht tek elektorati shqiptarë dhe dashje padashaje votën e tyre po e devalvojnë.
Kjo nuk është e veçanta. Nuk është hera e parë që këtij mjedisi i mungon një organizim i tillë politik. Shpesh fitohet bindja se shqiptarëve të këtij mjedisi, por edhe më gjerë, jashtë kufijve politikë të shtetit amë, ende u mungon një strategji kombëtare se si t’i qasen realizimit të objektivave të tyre kombëtare. Mbrojtja e identitetit kombëtar është vlerë e madhe. Problemet politike, nuk zgjidhen me deklarata politike, por me strategji politike. Përçarjet dhe mosmarrëveshjet në mes subjekteve shqiptare në Malin e Zi, po ndodhin në kohën kur kërkohet më shumë se kurrë bashkëpunimi i duhur për çështje madhore që kanë të bëjnë me avansimin e të drejtave të shqiptarëve.
Ulqini, sikur është në ethe të zgjedhjeve
Fitohet bindja se Ulqini këtyre ditëve është kapluar nga ethet e zgjedhjeve. Temperatura politike sa vjen e rritet. Subjektet gjithnjë vazhdojnë me një fushatë të egër ndaj njëri-tjetrit. Këtu, ku jeta merr kahen e një paperspektive, është shumë lehtë të manipulohet me ata të cilët i kanë lodhur hallet e jetës, ato të cilët, barra e jetës i ka dërmuar ekonomikisht. Madje, duke u premtuar edhe gjëra më të imta, edhe ato më të parealizuara e të pakuptimta e duke bërë pazare, vetëm e vetëm për të qeverisur e mbajtur pushtetin me një ekonomi tepër të lodhur. Këtu, kur çdo gjë, pothuaj është në falimentim e sipër, apo më mirë të themi është shkatërruar fare. Kjo është ajo e cila na pret ?!. Është e ardhmja jonë, e ardhmja e fëmijëve tanë ? !. Në një situatë të këtillë, është e dhimbshme kur në çdo bisedë me të rinjtë, dëgjon dëshirat dhe planet e tyre për të ikur në vendet evropiane dhe më larg. Është edhe më shqetësuese kur sheh se si planet e së ardhmes, thuajse janë shuar. Të rinjtë tanë, çdo ditë shprehin pasigurinë e tyre për një të ardhme !.
Liderët tanë, shpesh, para zgjedhjeve, qoftë lokale , apo parlamentare, trumbetojnë se do të arrijmë rezultate të lakmueshme dhe do të përmirësojmë pozitën e Shqiptarëve. Do të rrisin standardin e jetesës e do të ulin papunësinë. Do të rrisin ekonominë e do të zhvillojnë vendin, e çfarë nuk premtojnë ?!… Shtrohet pyetja: Vallë !, a thua e kanë përnjëmend dhe vërtetë duhet besuar ! ?. Çfarë kanë bënë këta tash sa vite në rrafshin politik? Çka u realizua brenda këtyre 25 viteve të pluralizmit “ d e m o k r a t i k “ ? . Çka u bë me shqiptarët ?. Çka fituan, e çka humben shqiptarët këto vite ? Çfarë u bë me Platformën e përbashkët për shqiptarët në Malin e Zi? Pse s’u jetësua Memorandumi si dokument i parë i nënshkruar vite më parë ?. Ku janë simbolet kombëtare ?. Ku janë të drejtat dhe liritë e shqiptarëve në Malin e Zi dhe sa respektohen ato ?. Sa është përfaqësimi i shqiptarëve në punësim, shëndetësi, gjykatë e vende të tjera në resurse, atje ku ka gisht republika ?, etj. Ku është arsimimi i përbashkët i unisuar për të gjithë shqiptarët ?
Si janë Plan-programet mësimore në shkolla ku nxënësit tanë mësojnë ?. Sa dhe si zbatohet gjuha shqipe, në administratë dhe vende të tjera, së paku aty ku shumicë janë shqiptarët etj, etj. Këto dhe shumë të tjera që s’po i përmendi. Ju ,Zotërinj, këta janë temat të cilat Ju i përsërisni sa herë u paraqitet nevoja dhe rasti, por jo në vendin kur dhe ku duhet thënë ?!. Thënë shkurt, shumë pak, apo më mirë thënë, aspak nuk është realizuar as jetësuar gjatë këtyre viteve të “demokracisë “ së shkatërruar. Kështu, zotërinj, devalvojmë vlerat tona kombëtare. Atëherë, me të drejtë pyesim:Politikanët shqiptarë, përfaqësimi i të cilëve edhe në të ardhmen, a do të ketë vetëm efekte dekorative të pushtetit republikan, apo do të ndryshojë kursi i deritashëm?!
Mendoj, se pa një politikë konstruktive nuk do të ketë as perspektivë të partive shqiptare dhe të shqiptarëve në përgjithësi. Në një ambient pak a shumë të acaruar, Subjekte politike shqiptare deri më tani janë treguar joserioz me qëndrimet e tyre . Këta, në vend që tehun e kritikës ta drejtojnë diku tjetër, këta, këtë e kanë kthyer ndaj njëri-tjetrit, vetvetes. Subjektet shqiptare duhet të angazhohen që kriza të zgjidhet me kompromis, duhet t’i lënë anash përçarjet, huqet dhe ambiciet lideriste dhe karrieriste. Duhet të ulen së bashku me ndjesi pozitive për të përpunuar një Platformë të përbashkët politike, e cila do të ishte e pranueshme për të gjithë shqiptarët në Malin e Zi.
Por, kjo nuk është e tëra…
Qofsha i gabuar, por gjatë përvojës sime, qoftë në Mal të Zi, Kosovë, Maqedoni e Luginë të Preshevës, (të rrallë, apo aspak ), nuk kam hasur dhe dëgjuar se ndonjë pjesëtarë i nacionalitetit tjetër është i anëtarësuar në ndonjë parti, apo subjekti shqiptarë. Ndërsa, ne, ( shqiptarët ), çuditërisht, pjesërisht jemi të rreshtuar pothuaj në çdo subjekt jo-shqiptarë ? !!! . Vallë ! këta veprime bëhen nga zemërgjerësia apo frika, nga interesi apo lakmia ?. Mendoj, se këta dy të fundit janë. N e j s e !. Sidoqoftë, është zgjedhja e tyre, por e keqa më të madhe qëndron, kur “lideri shqiptar”e tund flamurin e subjektit tjetër, jo-shqiptarë, duke rrahur gjoks e hedhur lavdë e p…, madje shet dhe “nasihat”, “kinse” na mbron çështjen dhe interesin shqiptarë !. Ironia bëhet edhe më e madhe, se “luftën” e bëjnë nën siglën e shkruar ‘qirilicë’. Po çfarë i thonë kësaj, o i gjorë !, ironi, apo lojë ?!. Jo, kjo është një tragjedi e llojit të vet !. Andaj, këtu del qartë, se veprimet e tyre politike janë peng të individëve të cilët nuk zgjedhin mjete për të realizuar qëllimet e veta personale duke ruajtur interesin e vet dhe shumë lehtë bien viktima të proceseve të ndryshimeve. Andaj, është e pafalshme sjellja këtyre politikanëve .
Ju zotërinj, jeni të përkohshëm, populli është i përjetshëm”, thotë një fjalë e urtë popullore. Ju zotërinj, politikanë që udhëhiqni sot politikën, këtu dhe më gjerë, do të jeni përgjegjës edhe para popullit edhe para historisë, andaj, bashkohuni ndërmjet veti si vëllezër, e atëherë edhe populli do të jetë i bashkuar dhe do t’ju dojë e respektojë më shumë. Për çështjet madhore lihen mënjanë të gjitha huqet e inatet.
Udhëheqësit dhe intelektualët janë pasqyra e një populli. Shpirti i një populli është udhëheqësi i mirë, ai që e përfaqëson popullin e vet në mënyrë të denjë, që realizon dëshirat, qëllimet dhe synimet e tij duke u bërë figurë integruese për popullin e vet .