Miss Serbia ia dorëzon kurororën Miss Kosovës, organizatori ankohet se shteti pamundësoi ardhjen e vajzave nga 12 vende

Prishtinë | 14 Maj 2023 | 10:50 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kosova këtë javë ishte nikoqire e garës së bukurisë “Miss Freedom of the World 2023”. Me votat e jurisë, vendin e parë e ka marrë Laurina Hoti, e cila përfaqësoi Kosovën, e asaj kurorën ia ka vënë Miss Serbia, e cila ishte fituese e këtij konkursi, para katër vitesh.

Miss Serbia, Irina Jovanka, mbahet mend sidomos për gjestin e shqiponjës dykrenare, gjë që kishte nxitur reagime të shumta negative në Serbi, madje për të kishte folur edhe presidenti Vuçiq.

Irina, në një bisedë me Ekonomia Online, tha se nuk është penduar për simbolikën që kishte përcjellë atëherë, madje e përsërit edhe një herë para kamerës.

“Kam qenë këtu para 4 vitesh. Besoj disa nga ju më njihni pasi e kam bërë shqiponjën shqiptare (e bën sërish dhe qesh)”.

“Ndihem krenare për atë gjest… Kam respekt për këtë popull (shqiptar) dhe jam shumë e lumtur që jam këtu sërish”.

Irina thotë se ka shumë njerëz në Serbi që i duan dhe respektojnë shqiptarët, por nuk kanë shumë guxim ta thonë hapur. “Shumica prej nesh duan paqe, duan të jetojmë së bashku, por është politika ajo që na shkatërron”

Ajo ka treguar se jeton në Austri, ndërsa prindërit janë kthyer në Novi Sad. Thotë se vjen shpesh në Kosovë, edhe për shkak të marrëdhënieve biznesore. “Kam hapur një dyqan butiku në Vjenë dhe shes atje ‘fustanet e Kosovës’ (e thotë në shqip) dhe nga Ballkani”.

Dizajnerët e Kosovës, sipas saj, bëjnë fustane kualitative, por kanë vështirë t’i plasojnë, shkaku i pengesave për lëvizje të lirë, shkaku i vizave, e të ngjashme. “Kështu i ndihmoj dhe ekonomisë”.

“Mesazhi im është bëni dashuri, jo luftë. Paratë nuk janë gjithçka… Kemi vetëm një jetë dhe duhet të shpërndajmë dashuri”, është porosia e Irinës, për drejtuesit politikë dhe qytetarët e dy shteteve fqinje.

Miss Kosova, e cila mori 18 vota nga anëtarët e jurisë në përbërje të cilit ishin personalitete nga Kosova, rajoni dhe bota, tha se ndihet e emocionuar dhe shumë krenare për këtë çmim. “Ka ardhur koha me fitu Kosova një herë”, u shpreh ajo.

Laurina ka treguar se është me prejardhje nga Krusha e Madhe e Rahovecit, ndërsa ka lindur në Zvicër. Thotë se vjen me shumë dëshirë në vendlindjen e babait, sidomos gjatë verës, dhe ka dëshirë të vizitojë qytetet dhe vendet e bukura të Kosovës.

Fitoren, ajo thotë se ia dedikon babait të saj, i cili ndodhet në karrocë. “Babi ka pasur shumë qef që unë me hi për miss, me u ba modele”.

“E kam gjatësinë e trashëguar nga babi dhe besoj se është shumë krenar edhe ai”, shprehet ajo, për EO.

Natali Bilska, bukuroshja nga Ukraina, është kurorëzuar me çmimin “Grand Prix”. Ajo tha se është e lumtur dhe se e ka shijuar këtë eksperiencë të re.

Bilska ka ardhur nga një zonë e luftës afër Kievit, dhe ka pasur mjaft peripeti edhe për të udhëtuar, por dëshira për të prezantuar vendin dhe kulturën e vendit të saj, nuk e kanë ndalur.

“Ukraina duhet të jetë e lirë dhe do të jetë”, beson Bilska, vendi i të cilës tashmë më shumë se një vit po lufton kundër agresionit rus.

Vajzat nga rreth 25 shtete kanë arritur në Kosovë qe më shumë se një javë dhe kanë vizituar vende të Kosovës, dhe të Shqipërisë; gjithashtu kanë takuar përfaqësues të bizneseve e organizatave eminente.

Organizatori i “Miss Freedom of the World”, Shpejtim Zeneli, ka pasur një kritikë për institucionet e Kosovës, përkatësisht Ministrinë e Punëve të Brendshme se ka neglizhuar pajisjen me viza për përfaqësueset e një numri shtetesh, duke ua pamundësuar pjesëmarrjen në konkurs. Sipas tij, vajza nga rreth 12 shtete, shumica nga kontinenti afrikan, megjithëse kishin planifikuar nuk kanë mundur të vijnë me kohë shkaku i vonesave nga institucionet përgjegjëse.

“Arsyetimi ka qenë: Jo është Festa e Pashkëve Ortodokse, Katolike, 1 Maji (Dita e Punëtorëve), 9 Maji (Dita e Evropës) e kështu me radhë. Ka qenë një neglizhencë”, thotë Zeneli për EO.

“Uroj që institucionet vitin e tjetër mos të bëjnë kësi lapsusi se në të kundërtën jam i detyruar ta lëshoj Kosovën… Unë punoj me pasion, qëllimi është edhe ta promovojmë Kosovë, që Kosova të njihet edhe përmes artit e bukurisë”, thekson ai.

Në konkursin e mbajtur të premten në mbrëmje, në një resort në afërsi të Prishtinë, janë zgjedhur edhe përcjellëset e Missit. Përcjellësja e parë – Lili Balázs nga Hungaria; e dyta Angela Dlusniewski nga Brazili; përcjellësja e tretë Zinaida Tesliuk nga Letonia; e katërta – Anniqa Jamal Iqbal nga Pakistani dhe e 5-ta përfaqësuesja e Austrisë, Cecillia Hidda.

Ekonomia Online e ka transmetuar “live” këtë event.

Të ngjashme