Organizata Jo-Qeveritare Green Art Center – Prishtina, e cila në partneritet me Komunën e Mitrovicës dhe Giz-SMS Project, vitin e kaluar kanë nisur projektin “Ecofriend-Funksionalizimi i sistemit të ndarjes së mbeturinave të riciklueshme përmes zhvillimit të programit për edukim mjedisor në institucionet arsimore”, po e përmbyllin këtë projekt me rezultate të kënaqshme dhe të pritura.
Projekti i cili ka filluar në shtator të vitit të kaluar, është përqendruar në vecanti në vetëdijesimin e qytetarëve dhe kryesisht të rinjve për rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit dhe dobitë që sjellë riciklimi i mbeturinave.
Qyteti i Mitrovicës po vazhdon ta tregojë më së miri gatishmërinë dhe vullnetin e qytetarëve të saj për të vepruar në mbrojtjen e mjedisit. Të qenurit partner i projektit “Ecofriend-Funksionalizimi i sistemit të ndarjes së mbeturinave të riciklueshme përmes zhvillimit të programit për edukim mjedisor në institucionet arsimore”, ka treguar një shembull të mirë në atë se si duhet pranuar idetë ambientaliste për të pasur një mjedis sa më të pastër.
Në këtë projekt, në të cilin morrën pjesë institucionet arsimore të Komunës së Mitrovicës, përfshirë 15 shkolla fillore dhe 50 amvisëri, janë treguar rezultate të kënaqshme, ku 5 shkolla dhe 80 amvisëri i janë nënshtruar procesit të ndarjes së mbeturinave, duke zbatuar kështu skemën e riciklimit të mbeturinave të paraparë në projekt.
Si rezultat i kësaj objektive të arritur, falë bashkëpunimit me qytetarët dhe të rinjtë e Mitrovicës në vecanti, synohet që një vetëdijesim i tillë të zgjerohet akoma më shumë duke krijuar kështu një kulturë mjedisore në të gjithë shoqërinë. Ndarja e mbeturinave të riciklueshme njëherësh do ta favorizojë gjenerimin e të hyrave për ndërmarrjen sociale të krijuar në Mitrovicë, ku aktualisht janë të punësuar shtatë persona, kryesisht të komunitetit rom.
“Ecofriend”-Ky projekt financohet nga (Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit)
Krijimi i një sistemi të përbashkët të ndarjes së mbeturinave dhe menaxhimi i mbetjeve në mjediset e shkollave dhe në lagje, rritja e kapaciteteve të nxënësve, themelimi i shoqatës së vullnetarëve të rinj “Green Club Mitrovica” si dhe ndërgjegjësimi dhe fuqizimi i qytetarisë aktive në procesin e mbrojtjes së mjedisit, janë rezultatet e pritura të projektit, rezultate këto që janë arritur falë punës së palodhshme të zyrtarëve të Komunës së Mitrovicës, Gizit Gjerman si dhe zyrtarëve të Organizatës Jo-Qeveritare Green Art Center-Prishtina, ku me një qëllim të përbashkët, ka ndikuar në vetëdijesimin e qytetarëve mitrovicas, e sidomos të rinjve, se mbrojtja e mjedisit është mëse e domosdoshme dhe se një gjë të tillë mund ta arrijnë lehtë dhe me pak mund, vetëm mjafton të ketë vullnet, gatishmëri dhe bashkëpunim ndërmjet qytetarëve, institucioneve dhe akterëve përgjegjës që veprojnë në këtë drejtim.