Një kosovar ka rënë në pranga, pasi ka tentuar të rrëmbejë tre persona në qytetin e Vlorës. Strukturat e Drejtorisë së Antiterrorit në bashkëpunim me policinë e Vlorës bënë të mundur arrestimin e tij ditën e sotme.
Bëhet fjalë për shtetasin Dijar Xhema, 29 vjeç, lindur e banues në Mitrovicë, Kosovë.
Arrestimi i tij u bë pasi ka dhunuar fizikisht, psikologjikisht dhe ka tentuar të rrëmbejë me mjetin e tij “Audi” me targa RKS 02-300-CO, tre persona me inicialet: B.N, N.I, dhe F. D. në vende të ndryshme të qytetit të Vlorës, brenda një harku kohor prej 2 orësh.
Këto veprime ky person i ka shoqëruar me thirrjet në vende dhe ambiente publike, si“Allahu Akbar”, “Jam i dërguari i Allahut”, dhe “Do t’ju vras të gjithëve”.
Nisur nga veprimet e kryera, informacionet e dhëna nga qytetarë dhe reagimi në kohë rekord i strukturave të policisë, u lokalizua dhe u neutralizua autori i dyshuar i këtyre akteve, duke bërë kështu parandalimin e disa ngjarjeve të rënda kriminale me pasoja dhe impakt në publik.
29- vjeçari gjatë arrestimit dhe në ambientet e shoqërimit, ka kundërshtuar me dhunë punonjësit e policisë.
Gjatë kontrollit në automjetin e tij u gjet një sasi lënde narkotike e dyshuar si kanabis sativa.
Mbi Dijar Xhemën rëndon akuza për veprat penale: “Vepra me qëllime terroriste”; “Nxitja, thirrja publike dhe propaganda për kryerjen e veprave me qëllime terroriste”; “Nxitja e urrejtjes ose grindjeve”, (të mbetura në tentativë); “Prodhim dhe shitje narkotikeve.”
Ky person paraqet rrezikshmëri të theksuar shoqërore, pasi në Kosovë është i evidentuar si person me precedent kriminal për tendencën e vrasjes, rrëmbimit, dhunim personi, dhunim i punonjësve të organeve ligjzbatuese, mbajtje dhe përdorim pa leje të armëve të zjarrit.
Materialet i kaluan Prokurorisë për Krimet e Rënda për veprime të mëtejshme.