Mitsubishi ka zbuluar SUV-in e saj të ri, të quajtur ASX, para debutimit zyrtar, që pritet të jetë panairi i sivjetshëm i veturave në Gjenevë.
Ky SUV, që rivalizon direkt Nissan Qashqain, ka marrë një dizajn të ri nga brenda e po ashtu edhe nga jashtë, sistemin e argëtimit më të ri nga Mitsubishi si dhe motorin e ri 2.0 litërsh me katër cilindra me benzinë, transmeton koha.net.
Eksterieri i Mitsubishi ASX të ri ka pësuar ndryshime të mëdha, duke adaptuar dizajnin “dinamik” më të ri të kësaj kompanie, ashtu sikurse modelet e tjera të reja si: Eclipse Cross, Outlander e Shogun Sport.
Nga brenda, ASX i ri ka marr sistemin më të ri të argëtimit të Mitsubishit me ekran 8 inç.
Nën kafano, ASX-së i është shtuar edhe një motor i ri, 2.0 litërsh me benzinë që ka katër cilindra e prodhon 148 kuajfuqi.
Blerësit do të mund të zgjedhin sistemin me katër rrota aktive apo me rrotat e para aktive si dhe marshet manuale apo automatike.
Çmimi dhe specifikat e plota të Mitsubishit ASX të ri ende nuk janë zbuluar, por kjo pritet të ndodh në zbulimin zyrtar të veturës në panairin e veturave në Gjenevë.