Miut hero i jepet medalja e artë për zbulimin e 39 minave tokësore

Prishtinë | 26 Sht 2020 | 15:42 | Nga Ekonomia Online

Një mi në Kamboxhia është vlerësuar si hero dhe është dekoruar me medalje të artë për punën që ka bërë në zbulimin e minave tokësore.

Pas disa dekadave në konflikt, vendi i Azisë Juglindore ka mbetur me miliona mina të pashpërthyera, të cilat ende po shkaktojnë të vdekur dhe të lënduar çdo vit.

Me ndihmën e vendeve tjera, Kamboxhia për disa vite është përpjekur t’i largojë mjetet shpërthyese, por kjo është një punë e rrezikshme dhe e vështirë, shkruan CNN.

Miu i quajtur Magawa është trajnuar nga një organizatë joqeveritare e themeluar në Belgjikë, por që zyrën kryesore e ka në Tanzani. Ajo trajnon minjtë për ta dalluar erën e substancave shpërthyese që përdoren në prodhimin e minave.

Magawa është një mi mjaft i madh, por mjaftueshëm i lehtë për të mos e aktivizuar një minë tokësore, nëse shkel mbi të.

Për shtatë vjet, ky mi i ka zbuluar 39 mina dhe 28 objekte tjera shpërthyese, duke ndihmuar në pastrimin e 141,000 metrave katrorë tokë. Kështu, ai është zgjedhur si miu me performancën më të mirë në grupin e përdorur nga organizata qeveritare.

Sipas një deklarate për shtyp, minjtë gjigantë afrikanë janë inteligjentë dhe të lehtë për t’u trajnuar.

Të ngjashme