Mjekë e profesorë universitar obligohen ta deklarojnë pasurinë nga 11 Shkurti, AKK-ja jep detaje

Prishtinë | 12 Jan 2024 | 09:17 | Nga Ekonomia Online

Nga data 1 deri më 31 mars 2023, zyrtarët publik në Kosovë do të jenë të obliguar të bëjnë deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion (AKK).

Rreth dhjetë mijë zyrtarë publikë, nisur nga presidentja, kryeministri, ministrat, deputetët, kryetarët e komunave e deri te mijëra zyrtarë të tjerë që kanë pozita udhëheqëse, janë të obliguar të deklarojnë pasurinë në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK).

“Procesi i deklarimit të rregullt vjetor, sipas ligjit, fillon me 1 mars dhe përfundon me 31 mars të secilit vitit kalendarik. Këtë vit, deklarimit të rregullt vjetor pritet t’i nënshtrohen rreth dhjetë mijë (10000) subjekte deklaruese”, thuhet në përgjigjen e tyre

Këtë vit, ndryshe nga të tjerët këtij procesi do t’i nënshtrohen edhe mjekët e institucioneve shëndetësore sekondare dhe terciare, si dhe për profesorët e universiteteve publike.

Deklarimin e pasurisë ata do ta bëjnë nga 11 shkurti i këtij viti.

Numri i saktë nuk dihet ende sipas AAK-së, por pritet të jetë diku rreth 1 mijë.

“Afati tridhjet ditor i deklarimit të pasurisë për mjekët e institucioneve shëndetësore sekondare dhe terciare, si dhe për profesorët e universiteteve publike fillon me 11 shkurt 2024. Edhe pse në këtë fazë nuk mund ta dimë saktë numrin e përgjithshëm të tyre pritet që të jetë rreth një mijë (1000) subjekte deklaruese”, kanë thënë nga AKK-ja për Front Online.

Nga Agjencia Kundër Korrupsion (AKK), kanë treguar se pasuria e deklaruar e mjekëve dhe profesorëve universitar do të jetë e qasshme për publikun.

“Në përputhje me ligjin, regjistrat e pranuar nga këto subjekte deklaruese do të jenë të qasshme për publikun”, thuhet më tej në përgjigje.

Nga kjo Agjenci kanë thënë se pas deklarimit të pasurisë nga mjekët dhe profesorët, kompletohen të gjitha kategoritë deklaruese të obliguara ta deklarojnë pasurinë sipas legjislacionit të ri të Agjencisë.

Agjencia Kundër Korrupsionit ka treguar se janë më shumë se pesë mijë (5000) subjekte deklaruese që kanë deklaruar pasurinë për herë të parë në vitin 2023.

Të ngjashme