Mjekë nga Amerika kontrolluan 116 fëmijë me problem në zemër

Prishtinë | 05 Gus 2017 | 14:18 | Nga

Me organizim të Organizatës Gift of Life Internetional, menaxhere dhe vullnetare e së cilës punon Albana Krasniqi, me qëndrim në Amerikë dhe koordinim të Gift of Life Kosova, nën udhëheqjen e Prof. dr. Mazllum Belegu, me bashkëpunim, mbështetje dhe organizim të drejtorisë së përgjithshëm ët SHSKUK-së, të menaxhuar nga dr. Curr Gjocaj, një ekip i mjekëve nga Amerika për një javë ka kontrolluar një numër të madh të fëmijëve me probleme dhe anomali në zemër.

Ekipin mjekësor e përbënin Robert Raylman, shef ekzekutiv, Dr. Joseph Gaffny, kardiolog, dr. Fatos Rugova, kardiolog, Margaret Challenger, teknike ekografisë dhe infermier Mickey Wider.

Në njoftimin për media të lëshuar nga QKUK-ja, bëhet me dije se për një javë ekipi mjekësor kontrolloi 116 fëmijë, prej tyre 49 ishin kontrolle për fëmijët të cilët janë operuar më herët me ndërmjetësim nga organizata, si donacion në Amerikë, përderisa 67 raste ishin të reja.

“Nga 67 rastet e kontrolluara, 17 fëmijë kanë nevojë për intervenim kirurgjik, intervenime të cilat pritet të kryhen brenda këtij viti”, thuhet në njoftim.

Gjithnjë sipas njoftimit, për koordinim të punës dhe organizim sa më të mirë me ekipin nga Amerika, drejtori Gjocaj, kishte formuar komisionin në përbërje të Dr. Shemsi Veseli, specialist i Biokimisë dhe anëtar i Bordit të SHSKUK – së, Dr. Fakir Spahiu – drejtor i shërbimit klinik të Mjekësisë Nukleare, Dr. Muharrem Avdiu – drejtori i Klinikës së Pediatrisë.

Ekipi i formuar, bashkë me drejtorin Gjocaj, ka vizituar ekipin mjekësor gjatë kohës sa po kontrollonin fëmijët dhe është njohur për punën që ata kanë bërë dhe në lidhje me kontrollimin e fëmijëve.

Në njoftim jepen edhe disa informata shtesë në lidhje me organizatën Gift of Life Interational, për të cilën thuhet se ndihmon 1500 fëmijë në vit, në mbi 70 vende të botës për më shumë se 40 vjet.

“Në fillim të vitit 2009, janë vënë kontaktet e para mes dy organizatave dhe nga 2009 – 2012, vetëm 9 fëmijë ishin ndihmuar nga Kosova. Albana Krasniqi, e angazhuar si vullnetare e organizatës nga 2012, ka sponsorizuar misionin e parë të skriningut, cili ishte mbajtur në muajin Maj të vitit 2012 , në Klinikën e Pediatrisë. Që nga ajo kohë, GOLI ka mbajtur 4 misione skriningu dhe janë kontrolluar mbi 350 fëmijë dhe janë ndihmuar rreth 93 raste. Albana, si drejtoreshë e organizatës po angazhohet të rrisë fonde për të mbuluar shpenzimet e këtyre operimeve. Po ashtu, ajo koordinon dhe organizon shkuarjen e fëmijëve në New York dhe strehon familjarët e fëmijëve”, thuhet në njoftim.

Në takimin mes drejtorit Gjocaj dhe organizatorëve, palët u pajtuan për vazhdim të mëtejmë të bashkëpunimi.

Të ngjashme