Me greva të shumta janë karakterizuar muajt e fundit të vitit që lëmë pas. Sektorët e ndryshëm në Kosovë përmes grevave shprehën pakënaqësitë e tyre për çështje të ndryshme.
Institucionet shëndetësore ishin një nga grupet që kanë mbajtur grevë e përmes së cilave kërkohej plotësimi i kushteve nga reparte të ndryshme të Qendrës Klinike Universitare.
Edhe në muajin e pesë të vitit 2019, pritet të organizohet një grevë e ngjashme me ato që janë organizuar deri më tani, shkruan Indeksonline.
Këtë herë nga punëtorët e Klinikës së Radiologjisë.
Ata përmes një shkrese drejtuar ministrit të Shëndetësisë, Uran Ismaili, drejtorit të Shërbimit Spitalor dhe Universitar, Basri Sejdiu e akterëve të tjerë, punëtorët e kësaj klinike kërkojnë plotësimin e kushteve elementare për kryerjen e punës.
Rregullimi i kabineteve dhe pajisja e tyre me mjete mbrojtëse, rregullimi i ventilimit në kabinetet ku punohet ne rreze jonizuese, ofrimi i kushteve për mbajtjen e shërbimit të kujdestarisë janë vetëm disa nga kërkesat e punëtorëve të Klinikës së Radiologjisë.
Në rast se kërkesat e tyre nuk merren parasysh, siç thuhet se është bërë deri më tani, këta punëtorë paralajmërojnë grevë.
Ata i kanë dhënë ultimatum institucioneve përgjegjëse deri në fund të kësaj jave për të marrë masa.
“Kërkesat tona kanë të bëjnë me kushtet dhe menaxhimin jo korrekt të punës në Klinikë, të cilat njëkohësisht janë të obliguara me ligj dhe obligative për vet stafin menaxherial. Do të thotë mosrealizimi dhe injorimi i këtyre kërkesave është shkelje ligjore, për të cilat do të duhej të ketë konsekuenca ligjore. Nëse kërkesat nuk hasin në mirëkuptim dhe injorohen (siç janë injoruar deri tani) deri më datën 24. 05. 2019, ne jemi të detyruar që të futemi në grevë, duke ndërprerë procesin e punës ndërsa përgjegjësia për të gjitha pasojat, do të bie mbi ata të cilët janë të obliguar që kërkesat tona ti konsiderojnë si zbatim ligji do të thotë deri tash ata janë shkelës të ligjit”, thuhet ndër të tjera në shkresën e punëtorëve të Klinikës së Radiologjisë.