Në praninë e familjarëve, personelit mjekësor dhe stafit drejtues të ShSKUK-së sot u nda mirënjohje për punën dhe veprimtarinë e anesteziologut, Muharrem Krasniqi i cili vdiq ditën e diel.
Mbledhja komemorative e cila u mbajt në sallën e Klinikës së Kirurgjisë në QKUK, shpalosi punën dhe veprimtarinë profesionale të dr. Muharrem Krasniqi, specialist i Klinikës së Anesteziogjisë dhe Reanimacioni,t në Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës.
Sipas njoftimit të ShSKUK-së mjekë, kolegë, miq dhe bashkëpunëtorë kanë përkujtuar figurën e dr. Krasniqit, i cili për shumë vite shërbeu me përkushtim ndaj pacientëve.
I pranishëm në këtë mbeldhje ishte edhe drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar, dr. Valbon Krasniqi, i cili shprehu ngushëllime familjarëve, kolegëve dhe të pranishmëve, duke thënë se lajmi për ndarjen nga jeta të kolegut dhe profesionistit tonë të çmuar dr. Muharrem Krasniqi, e pritem me pikëllim të thellë.
“Familja humbi prindin, bashkëshortin dhe të afërmin e tij, ndërkohë mjekësia kosovare humbi njeriun që dha shumë për shëndetësinë kosovare”, tha Krasniqi ndër të tjera.
Duke shtuar se dr. Muharrem Krasniqi nuk u ndal asnjëherë së dhëni ndihmë edhe pacienteve për raste Covid.
Ndërsa në emër të shoqatës së Anesteziologëve të Kosovës dr. Shaqir Uka, tha se Dr.Muharremi do të mbetet një referencë në anesteziologjinë kosovare për punën, kontributin dhe profesionalizmin.
“Familje e nderuar Krasniqi, jetoni me kujtimet më të mira për të, sepse ai la pas vete trashëgiminë e njeriut të mirë , bashkëshortit e babait të përkushtuar”, tha Uka.