Në tre muaj të parë të viti 2022, sistemin shëndetësor të Kosovës e kanë lënë 62 mjekë. Largimi i këtyre mjekëve nga Kosova po konsiderohet si shqetësuese dhe alarmante për funksionimin e mëtutjeshëm të shëndetësisë në vendin tonë.
Anëtari i komisionit për Shëndetësisë në Kuvendin e Kosovës, Shemsedin Dreshaj i cili edhe një herësh është infektolog, në një prononcim për Demorkacia.com ka konsideruar se Ministria e Shëndetësisë është pa strategji për mbajtjen e mjekëve në Kosovë.
“Derisa Ministria e Shëndetësisë nuk ka ndonjë strategji lidhur me mbajtjen e mjekëve në vendet e tyre të punës, atëherë largimi i mjekëve nga Kosova është i pritshëm. Ministria e Shëndetësisë aktualisht nuk është parë me një strategji të mirëfilltë për menaxhimin e situatës në vend”, ka thënë Dreshaj për Demokracia.com.
Ai ka përmendur edhe faktorin e dytë dhe gjendjen sociale me të cilën ballafaqohen mjekët. “Faktori i dytë lidhur me migrimin është situate sociale e mjekëve të cilët po ballafaqohen me ekzistencën në vend. Ata kryejnë shkollë për t’u punësuar, por nuk kanë vend pune. Ata edhe nëse punësohen rrogat e tyre janë ofenduese, nuk janë dinjitoze për punën që e kryejnë”, ka thënë Dreshaj.
Ai ka kërkuar nga ekzekutivi që të miratohet Ligji i Pagave sa më shpejtë që është e mundur. Dreshaj mendon se Kosova rrezikon të mbetet pa mjekë cilësore, duke e konsideruar se “dija gjen vend kudo në botë”.
Ai tutje thotë se mungesa kushteve, sigurimit shëndetësor dhe rrogat janë disa nga arsyet pse largohen mjekët nga Kosova. “Në radhë të parë ka të bëjë me problemin e rrogave, pastaj vijnë sigurimi shëndetësor dhe kushtet në të cilat punojnë”, ka thënë ai.
Vendet e BE-së, kryesisht Gjermania, është duke ofruar kushte të mira të punës për mjekët nga Kosova dhe pikërisht në këtë vend po shkojnë mjekët tanë për të punuar.