Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur në takim dhjetëra specialistë të fushave të ndryshme të shëndetësisë të cilët të martën kanë protestuar para Kuvendit pasi qe dy vite janë të papunë dhe institucionet përgjegjëse nuk u kanë gjetur zgjidhje.
Përfaqësuesi i specialistëve protestues, Arben Ademi, e ka falënderuar kryeparlamentarin Veseli për pritjen e specialistëve, ndërsa ka shprehur bindjen se vetëm kryeparlamentari mund tu ndihmojë në gjetjen e një zgjidhje të përhershme për punësimin e tyre.
“Kryetar, ju falënderojmë për angazhimin tuaj, tani dhe edhe atë të mëhershëm, veçanërisht në fazën e miratimit të buxhetit. Kemi konsideratë jashtëzakonisht të madhe për ju dhe u jemi drejtuar si një institucion tek i cili kemi shumë shpresë se mund të na ndihmoni”, tha Ademi.
Pasi dëgjoi kërkesat e specialistëve, kryeparlamentari Veseli tha se është e papranueshme që mbi 200 specialistë të bredhin rrugëve të papunë, ndërkohë që sistemi shëndetësor ka deficit të mjekëve dhe mjekët kosovarë po ashtu po ikin drejt vendeve evropiane për të gjetur punë.
“Më vjen shumë rëndë, sepse ka pothuajse një vit që po merremi me të njëjtat çështje dhe po sillemi në një rreth burokratik. Po ballafaqohemi me një sistem të ngecur shëndetësor, i cili po na frikëson të gjithëve, ndërsa po i bën fajtorë njerëzit të cilët më së paku janë të tillë, mjekët. Është vështirë t’i shohësh mjekët në rrugë. Në besë të shqiptarit, as nuk po e di, as nuk kam pasur informacion që mjekët të cilët kanë përfunduar shkollën e nuk janë të punësuar”, është shprehur Veseli.
Kryeparlamentari Veseli i siguroi specialistët se çështja e punësimit të tyre do të zgjidhet, ndërsa u premtoi se ai personalisht do të angazhohet në këtë çështje.
Veseli i ftoi specialistët që ta bëjnë një grup pre tre personave të cilët menjëherë do t’i takojë me ministrin e Shëndetësisë dhe Inspektoratin e Punës, për të gjetur zgjidhjen adekuate në përputhje me ligjet.