Mjekët dhe infermierët në spitalet e Republikës së Kosovës po del se nuk janë të sigurt në vendin e punës.
Sulmet më të shpeshta, sipas informacioneve, ndodhin pranë Emergjencës së spitaleve.
F.M dhe A.H, infermierë në Spitalin e Përgjithshëm të Mitrovicës janë sulmuar fizikisht mbrëmë në vendin e punës nga familjarët e pacientëve, me ç’rast kanë marrë lëndime trupore.
Policia e Kosovës ka njoftuar se janë arrestuar dy persona të dyshuar.
Sipas të dhënave, brenda një viti katër mjekë janë sulmuar gjatë orarit të punës. Madje në njërin nga këto raste, mjeku ishte sulmuar me sëpatë, shkruan Indeksonline.
E sulmin ndaj infermierëve e kanë dënuar ashpër nga Spitali “Dr.SamiHaxhibeqiri”në Mitrovicë.
Spitali i Përgjithshëm “Dr.SamiHaxhibeqiri”në Mitrovicë, njofton se, mbrëmë rreth orës 20:00, në Repartin e Emergjencës, janë sulmuar dy infermierë derisa po kryenin punën e tyre.
Infermierët e sulmuar nga familjarët e pacientëve janë: F.M dhe A.H, të cilët kanë marrë lëndime trupore.
Përkundër sulmit fizik ndaj infermierëve, pacienti është trajtuar nga stafi i shërbimit emergjent.
“Institucioni jonë e dënon dhe cilëson si të pa pranueshëm sulmin ndaj punëtorëve shëndetësorë, dhe ngrisin zërin për parandalimin e këtyre dukurive të shëmtuara”, thuhet në përgjigjen e këtij institucioni për Indeksonline.
Ndërsa, Naser Rrustemaj, Kryetar i Odës së Infermierëve të Kosovës, për Indeksonline ka thënë se rastet e tilla po ndodhin si rezultat i mos funksionimit të Sistemit të Drejtësisë në Kosovë.
“Sulmet e shpeshta ndaj mjekëve dhe infermierëve dhe profesionistëve tjerë shëndetësorë po ndodhin si rezultat i mos funksionimit të Sistemit të Drejtësisë në Kosovë.OIK është koshient se shpeshherë institucionet nuk kanë mundësi për arsye të ndryshme që të ofrojnë shërbimet për gjitha profilet dhe kjo mund të nxitë sulme nga palët e treta. Por, kjo nuk arsyeton asnjë veprim të dhunshëm ndaj infermierëve dhe stafit tjetër shëndetësor”, ka thënë ai.
Rrustemaj u ka bërë thirrje organeve që të rrisin nivelin e sigurisë në institucionet shëndetësore e sidomos pranë shërbimeve emergjente.
“Sulmet ndaj punonjësve shëndetësorë janë akte qyqare që ne i dënojmë dhe kemi kërkuar në vazhdimësi dënimin e kryesve të këtyre veprave.OIK nuk mund të paragjykojë fajësinë e askujt. Por, çfarëdo forme e dhunës që përdoret ndaj kujdoqoftë është e dënueshme”, ka thënë ai.
Lidhur me këtë rast ka reaguar edhe Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës(SHSKUK) duke e dënuar këtë akt.
Ndërsa nesër Sindikata e Spitalit të Mitrovicës organizon protestë para objektit të Spitalit Regjional të Mitrovicës në shenjë pakënaqësie me rastin e sulmit të dy punëtorëve shëndetësorë në vendet e tyre të punës, nga ora 8:30-09.00.