Bazuar në marrëveshjen ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës me Qeverinë e Republikës së Turqisë, nga data 18 deri më 26 shkurt do të zhvillohet java e shëndetësisë së Turqisë në Republikën e Kosovës.
Me vendim të Ministrit të Shëndetësisë së Republikës së Kosovës, Imet Rrahmani, është formuar grupi koordinues i cili do të bëjë koordinimin e aktiviteteve përkatëse lidhur me realizimin e programit “Java e Shëndetësisë Kosovare – Turke”, në periudhën prej 18 deri më 26 shkurt 2017.
Grupin punues do ta udhëheqë Kadir Hyseni, Zëvendësministër i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, përderisa grupi përveç tij, përbëhet edhe nga 14 anëtarë të tjerë.
Në kuadër të kësaj jave, Grupi punues ka mbajtur sot takimin e parë në prezencë të Ministrit Rrahmani, ku janë informuar në lidhje me fushat në të cilat do të vijnë ekspertët nga Turqia, të cilët po ashtu, pritet të sjellin edhe disa pajisje dhe material shpenzues.
Ekspertë nga Turqia krahas vizitave dhe ndërhyrjeve kirurgjike të ndërlikuara për pacientët kosovarë në QKUK, që do t’i bëjnë në bashkëpunim me mjekët specialistë vendorë dhe në koordinim të drejtorëve të klinikave përkatëse, me qëllim të mbështetjes së shëndetësisë kosovare do të zhvillojnë edhe ligjërata, seminare dhe diskutime të niveleve profesionale shëndetësore.
Ekspertët nga Turqia që do të vijnë në Kosovë janë nga fusha e kardiologjisë, kardiokirurgjisë së të rriturve dhe fëmijëve, anestezionit dhe mjekimit intensiv, kirurgjisë së fëmijëve, obstetrikës me gjinekologji, kirurgjisë plastike dhe rekonstruktime, urologjisë, kirurgjisë abdominale, oftalmologjisë dhe infermierisë.
Kjo është herë e katërt që ekspertët nga Turqia vijnë në Kosovë për të realizuar operacione të ndërlikuara për pacientët nga Kosova, në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës me Qeverinë e Republikës së Turqisë.