Mjekja e papunë, vullnetare në Klinikën Infektive

Prishtinë | 14 Maj 2020 | 21:08 | Nga Ekonomia Online

Jehona Krasniqi nga Prishtina është angazhuar në Klinikën Infektive vullnetarisht gjatë pandemisë.

Që në orën 8 të mëngjesit, mund ta takosh çdo ditë në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Jehona Krasniqi, doktoreshë e përgjithshme kalon nëpër tunelin dezinfektues para se të hyjë brenda në Klinikën Infektive.

Këtu, ajo edhe pse e diplomuar nuk është e punësuar në këtë klinikë.

Prej javësh, Jehona Krasniqi është e angazhuar si vullnetare në Infektivë, për të ndihmuar në menaxhimin e situatës me virusin Korona.

Ajo tregon, se fillimisht ka nisur angazhimin në qendrën e Thirrjeve të Institutit të shëndetit publik.

Puna brenda kësaj Klinike nuk është aspak e lehtë.

Për mjeken që nuk e ushtron profesionin e vet, situatat më të vështira përgjatë këtyre ditëve të pandemisë, janë rastet e vdekjeve të pacientëve.

Prishtinasja, e cila ka kryer edhe punë të tjera vullnetare, pohon se fillimisht edhe familja e saj ka pasur hezitime, sepse ajo çdo ditë takon persona të infektuar me virusin korona.

E kur gjithë kjo gjendje të marrë fund, Jehona Krasniqi shpreson të gjej një vend pune në profesionin e saj.

Angazhimi vullnetar me shumë siguri do ta shoqërojë edhe më tutje.

Të ngjashme