Shqipëria e ka dërguar një ekip mjekësor prej 30 personash për ta ndihmuar Italinë – njërën prej shteteve më të prekura nga koronavirusi në Europë.
Ky veprim si duket i ka bërë krenarë gjithë shqiptarët që jetojnë dhe veprojnë në Itali,.
Kjo është shprehur edhe në letrën e doktoreshës shqiptare që vepron në Itali, Kozeta Prokos, dërguar kryeministrit shqiptar Edi Ramës.
Më poshtë mund ta lexoni letrën e plotë të saj:
“Askujt nuk i shkonte ndërmend që Shqipëria, vendi i vogël përtej Adriatikut, i goditur vetëm pak muaj më parë nga tragjedia e tërmetit shkatërrimtar, të mund të gjente forcën e resurset e të dërgonte një ekip mjekësor prej 30 vetësh, për t’i qëndruar pranë mikes së vjetër e të shtrenjtë të të gjithë shqiptarëve, Italisë”.
“Dita e re, këtu në provincën e Trevizos, të gjithë shqiptarëve, ne veçanti ne mjekëve shqiptarë qe jetojmë e punojmë në Itali, na gjeti krenar. Këta kolegë, me punën e tyre në shërbim të mbrojtjes së jetës, janë dëshmi e një prej cilësive më fisnike të popullit shqiptar…ndihmesën e mikut në ditë të vështira”.
“Në çastet më të errëta të dallgëve të historisë, ne shqiptarët kemi treguar virtytet tona më të mira.
Jemi duke jetuar ditë të vështira, në një betejë që kërkon sakrificë prej secilit prej nesh. Nëse këta kolegë kanë lënë pas familjet e shtëpitë e tyre, në emër të betimit të shenjtë në mbrojtje të jetës, ju lutem qëndroni në shtëpi”.
“Të kemi të gjithë besim tek masat mbrojtëse të menjëhershme që institucionet e Shqipërisë ditën të ndërmerrnin, të cilat i përgëzoj. Për të mirën tonë, të familjarëve e të afërmve tanë, në respekt të sakrificës e punës së gjithë mjekëve, që fitorja e kësaj beteje të jetë sa më e afërt…QËNDRONI NË SHTËPI”.