Albert Bunjaki mund të jetë personaliteti më i lartë në futbollin kosovar që ka deklaruar se dopingu përdoret në futbollin tonë. Por, historia tregon se për këtë fenomen është folur qe 20 vjet në Kosovë. Madje, kishin folur edhe mjekët që i kishin treguar efektet dhe pasojat e përdorimit të substancave të ndaluara nga ana e futbollistëve.
Ish selektori i Kosovës, i cili tani punon si instruktor në UEFA, Albert Bunjaki, të premten në emisionin sportiv “Favorit” në T7 dha deklaratë shokuese kur tha që është e vërtetë se në futbollin kosovar përdoret dopingu.
“Dopingu është problem shumë i madh në Kosovë. Ne mundemi me e mbyll këtë temë dhe mundemi të mos e diskutojmë, mirëpo dopingu ekziston në futbollin e Kosovës, mjerisht. Ekziston ky problem, ka ekzistuar edhe më herët dhe ekziston edhe tani. Mirë është të bisedohet me lojtarë, ta kemi edhe qendrën e dopingut”, deklaroi Bunjaki në emisionin “Favorit”.
Mirëpo, Bunjaki nuk është i pari dhe i vetmi që e pohon prezencën e këtij fenomeni në futbollin tonë.
Në Kosovë që nga paslufta ka pasur dyshime të forta për përdorim të substancave të ndaluara, shkruan Gazeta Express. Madje, ka pasur raste kur ish futbollistë e kanë pranuar se ky fenomen ekziston në futbollin kosovar dhe ka pasur nga ata që pas pensionimit nga futbolli aktiv edhe vet e kanë pranuar përdorimin e dopingut gjatë kohës kur ishin lojtar.
Gjithnjë është përmendur “Ephedrine”, si njëra prej substancave të ndaluara, e që është përdorur kryesisht në futbollin kosovar.
Për këtë fenomen kishin folur edhe mjekët. “Po, nga shenjat që i kam vërejtur te sportistët dhe nga biseda që kam bërë me sportistë mund të konkludoj se disa nga ta përdorin mjete dopinguese të llojit të steroideve (derivate të testosteronit)”, kishte deklaruar për media kohë më parë specialisti i mjekësisë sportive, Agron Rexhepi.
Madje, ai i kishte shpjeguar edhe efektet te futbollistët përdorues të dopingut.
“Efektet e këtyre mjeteve janë të llojit anabolik (efekt i dëshiruar nga sportistët: rritje e performancave psiko-fizike) dhe efekti androgjen (efekti hormonal i këtyre preparateve: te femrat lajmërimi i karakteristikave seksuale mashkullore, te meshkujt steriliteti dhe impotenca, dëmtimet e mëlçisë, sistemit kardiovaskular, sistemit urogjenital, sistemit nervor, etj)”, shpjegonte Rexhepi.
Pas deklarimit të Bunjakit se në Kosovë po përdoret dopingu ka reaguar edhe Federata e Futbollit përmes sekretarit Eroll Salihu i cili ka folur për Gazetën Express.
“Nuk bën askush të akuzojë se në Kosovë përdoret dopingu. Nëse dikush di diçka, le t’i tregojë emrat. Ne jemi lodhur më me këto spekulime”, tha Salihu.
Ai tha se FFK është shumë e interesuar për instalim kontrolli anti-doping në vendin tonë, por kushtet e kanë bërë të veten. “Ne kemi folur me doktorë. Kanë qenë në seminare për antidoping dhe së bashku po mundohemi ta krijojmë një laborator. Kemi folur edhe me Ministrinë e Sportit për këtë punë. Ne e kemi kërkuar një laborator, përmes të së cilit do t’i merrnim mostrat prej këtu, për t’i dërguar jashtë vendit”, deklaroi Salihu për Gazetën Express.
Salihu shtoi se FFK ka bërë përpjekje ta luftojë këtë fenomen me “kaçikun” e vet. “Murat Berisha ka qenë në asociacionin e antidopingut, VADA dy apo tri herë. Sa e di unë, ua kemi përcjellë të gjitha klubeve substancat e ndaluara cilat janë. As shtete tjera të rajonit nuk kanë laboratorë që mund të bëjnë ekzaminime, por i dërgojnë jashtë edhe ata. Dikush i dërgon në Vjenë e dikush tjetër në Zvicër”, nënvizoi Salihu.
Sipas tij, në gara kampionale kontrollet anti-doping duhet t’i bëjnë Federatat, derisa shpjegoi edhe procesin e kontrollit. “Në ndeshjet ndërkombëtare është kompetencë e UEFA-s dhe FIFA-s të merret me antidopingun. Zakonisht vendoset më herët për lojtarët që duhet t’i nënshtrohen kontrollit të antidopingut, por kontrolli bëhet pas lojës”, shtoi Salihu.
Gara në IPKO Superligën e Kosovës në futboll është bërë tejet e fortë pasi katër klube, Ballkani, Drita, Prishtina dhe Gjilani, po luftojnë “dhëmbë për dhëmbë” për titullin e kampionit, kurse shumë skuadra tjera luftën e madhe po e bëjnë për t’iu shmangur rënies në një kategori më poshtë.
Në këtë situatë është rritur frika e mundësisë së përdorimit të dopingut vetëm e vetëm për arritje të synimeve që i kanë klubet, për çka kanë bërë edhe investime të mëdha financiare.