Zëvendësministri i Ekonomisë të Republikës së Kosovës, Getoar Mjeku ka marrë pjesë në Forumin Strategjik të Bledit, me ç’rast ka folur në dy panelet ministrore, “Koncepti ‘Digjitalizimi së pari’ në transformimin digjital – shkëmbimi i praktikave”, si dhe “Hartëzimi i performancës digjitale në rajonin e Ballkanit Perëndimor”.
Gjatë paneleve, zëvendësministri Mjeku ka shpalosur punën dhe arritjet e Republikës së Kosovës sa i përket avancimit të transformimit digjital. Ai ka ndarë synimet kyçe të Qeverisë të caktuara përmes Agjendës Digjitale, siç është digjitalizimi i shërbimeve dhe përmirësimi i këtyre shërbimeve, ndër të tjera edhe duke mësuar nga praktikat më të mira të shteteve tjera. Gjatë diskutimit u përshëndet arritja e Republikës së Kosovës për mbulueshmëri 100% të territorit të vendit me internet të shpejtë, duke e vendosur kështu Kosovën larg para rajonit dhe në listën e top vendeve evropiane me mbulueshmëri të tillë.
Pikë tjetër kyçe e diskutimit ishte edhe investimi në aftësim të të rinjve. Zv. ministri Mjeku ka theksuar se sipas raportit “E ardhmja e TI-së” 2023 të publikuar nga “Emerging Europe”, Kosova renditet e para në Emerging Europe për numrin e studentëve të fushave të TIK-ut në 100,000 banorë. Për më shumë, 85% e kompanive të sektorit të TIK-ut në vend i eksportojnë shërbimet e tyre. Zëvendësministri Mjeku ka folur për nevojën e këtyre kompanive për fuqi punëtore të re, të trajnuar e të aftësuar.
Zv. ministri ka ndarë punën që është duke u bërë për trajnimin e fuqisë së re punëtore në sektorin e TIK-ut për t’i përgatitur për kërkesat e tregut dinamik, përfshirë këtu trajnimin e 1,500 të rinjve nga Ministria e Ekonomisë me përkrahje të Bashkimit Evropian për fusha të ndryshme të TIK-ut, trajnimin e 2,000 të rinjve për aftësi digjitale përmes projektit KODE, trajnimet e 900 të rinjve të mbështetura nga MASHTI, si dhe bursat për vajzat në fushën e STEM në vlerë prej 2 milionë euro nga MASHTI.
Krahas zëvendësministrit Mjeku, në panele kanë marrë pjesë edhe ministrja e Sllovenisë, Emilija Stojmenova, ministri i Kroacisë, Ivan Malenica, ministri i Bosnjës dhe Hercegovinës, Edin Forto, ministri i Maqedonisë së Veriut, Azir Aliu, si dhe drejtoresha e portalit e-Albania, Nevila Repishti. Pjesëmarrësit ndër të tjera kanë diskutuar mbi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit rajonal për të përmirësuar infrastrukturën, shërbimet si dhe aftësitë digjitale në të gjithë rajonin duke konsideruar rëndësinë e sektorit të TIK-ut.