Mjeku i suspenduar thotë se ministri Ismaili u hakmor ndaj tij

Prishtinë | 08 Gus 2018 | 12:43 | Nga

Isa Haxhiu, një nga tre mjekët e suspenduar të martën, ka publikuar një letër të dytë për ministrin e Shëndetësisë, Uran Ismaili, të cilin e akuzon për hakmarrje për letrën e parë të publikuar muaj më parë.

Haxhiu, shef i repartit “B” të Klinikës së Urologjisë në ShSKUK, kishte kritikuar dy muaj më parë Ismailin duke thënë se ministri nuk po e thoshte të vërtetën kur deklaronte se gjendja në klinikën e Urologjisë është përmirësuar pas ardhjes së tij në postin e ministrit.

Dje Haxhiu bashkë me dy mjekë të tjerë u suspenduan, pasi, sipas një postimi nga ministri Ismaili në Facebook, nuk ishin gjetur në vendin e punës gjatë inspektimit.

Të gjithë këtë ngjarje, Haxhiu e ka quajtur hakmarrje ndaj tij, teksa ka thënë se ekzekutor i hakmarrjes është Basri Sejdiu, drejtor i ShSKUK-së, transmeton Koha.net.

Kjo është letra e Haxhiut, pa ndërhyrje:

Letër e dytë e hapur, për ministrin Uran Ismajli

Z. minister, hakmarrja ka një emër: Uran Ismajli dhe një ekzekutor: Basri Sejdiu !

Ministri virtual i shëndetësisë, Uran Ismajli, “virtualisht” synon të hakmerret ndaj meje, për shkak të letrës së hapur që i pata dërguar para dy muajsh, duke ia bërë të qartë se “të bëmat” e tija në dikasterin e shëndetësisë që ai e udhëheq, janë vetëm virtuale, por jo edhe faktike. Po virtualisht sot, përmes facebook-ut, ministri me pompë deklaron se tre mjekë janë larguar për shkak se “gjatë natës së djeshme, në disa klinika, drejtori i ShSKUK-ës, nuk i ka gjetur fare ne vendin e punës…”, pa i përmendur emrat e tyre, ndonëse ai e di fare mirë se për kë bëhet fjalë, meqë si duket përkujdesja nga lart për këtë, nuk ka munguar. Ai dëshiron, që para opinionit të duket “parimor” duke lënë përshtypjen sikur ministri nuk merret me individët, por me dukurinë, ndonëse, vendimi i drejtorit të ShSKUK-ës, i tillë çfarë është, i stisur dhe i pabazuar në fakte, edhe kësaj here ia nxjerrë bojën ministrit dhe e nxjerrë mbretin lakuriq! Në vendim tekstualisht thuhet se “…Më datën 07.08. 2018, ora 01:20 në Klinikën e Urologjisë në vendin e tij të punës nuk ishte Dr. Isa Haxhiu-mjek specialist në këtë klinikë dhe mungesën e tij nuk e ka arsyetuar. Për çka dyshohet se ka kryer shkelje të detyrave të punës të përcaktuara nga QKUK-ja, siç është kujdestaria 24 orëshe të cilën nuk e kishte respektuar dhe e kishte lëshuar QKUK-në, pa marrë leje nga askush”.

Se ky vendim është i aranzhuar dhe i stisur (i gënjeshtërt) dhe vendimi të cilin e ka ndërmarrë drejtor aktual i ShSKUK-së (!), është i pabazuar në fakte, mund të vërtetohet e stërvërtetohet nga ushtruesi i detyrës së drejtorit të Klinikës së Urologjisë, nga personeli i repartit “B”, nga pacientët, nga fletëlëshimet, nga protokoli i sallës operatore ; kjo mund të dëshmohet nga regjistrimet e softverit për hyrje-dalje,ku mund të shihet se kam hyr në ambientet e ShSKUK-së, në mëngjes në ora 07:15, të datës 06.08.2018 dhe dalja nga puna më datën 07.08.2018, pas orës 12.30; nga shënimet e protokolit të intervenimeve të Klinikës të datës 07.08. 2018 dhe gjithçka tjetër, të kësaj date. Për këtë ftoj mediat që t’i vërtetojnë të gjitha këto që po i shpërfaq në këtë letër dhe të binden për “vërtetësinë” e fakteve të drejtorit, të sanksionuara me vendim për largim të përkohshëm nga puna, për mua, të datës 07.08.2018 dhe “pavërtetësitë” e autorit të kësaj letre!

“Fakti” i drejtorit se në ora 01:20, të datës 07.08.2018, nuk kam qenë në vendin e punës, është i paqëndrueshëm, përveç nëse drejtori konsideron se vendi i punës për një specialist me përvojë 40 vjeçare, dr. shkence, primari i kujdestarisë së Klinikës, duhet të qëndrojë në korridor të klinikës dhe ta pres drejtorin aty, kurdo që atij t i teket ta “monitorojë” QKUK-un, meqë dhomën time e mit e kam një kat më poshtë, dhoma nr.8-të, ku edhe ka mundur të më gjejë duke lexuar apo duke “ pushuar”, në mënyrë që të nesërmen ( të cilën duhet ta kishim ditë pushimi, por që asnjëherë nuk arrijmë ta realizojmë, për shkak të obligimeve të nesërme, siç e konfirmon edhe puna në repart dhe sallë e datës 07.08,2018).Sa për kushtet që ofron ShSKUK-ja, për një kujdestari 24 orëshe, për një mjek apo infermier, është një temë e cila nuk është diskutuar asnjëherë, por ato nuk përmbushin as kërkesat minimale për një kujdestari efektive e të dinjitetshme .

Është indikativ fakti që drejtori Sejdiu, gjatë inspektimit që i paska bërë ShSKUK-ës, nuk “dënjon” t’më thërras apo t’i bëjë të tjerët të më thërrasin për t’u bindur për vendndodhjen time, sepse, si duket, atij i ka mjaftuar “fakti “ i mungesës sime në korridor të Klinikës dhe dhurata që do ia bëjë ministrit se, ja atë kritikuesin tënd, që ka guxuar të të drejtohet me letër të hapur, nuk e gjetëm në kujdestari dhe, o burra, një rast par exelance, për hakmarrje, paçka se “faktet” janë të stisuara! Pra,“fakti” i drejtorit se nuk kam qenë në vendin e punës, jo vetëm është i paqëndrueshëm por edhe qëllimisht i gënjeshtërt, ashtu siç është i gënjeshtërt edhe “fakti” tjetër i drejtorit se “ mungesën e tij ( pra, unë) nuk e ka arsyetuar”!.Si të arsyetohet një “mungesë”, kur nuk e kërkon askush atë : kur drejtori i ShSKUK-ës,, që është vetëm një kukull me bisht të nxënë (!), i shantazhuar për shkak të punësimit në Klinkën e Internos gjatë kohës së okupimit, por që ka arritur, duke u zhagitur dhe me bisht të nxënë, të bëhet edhe “drejtor “ i ShSKUK-së, nuk e kërkon atë, por ngutet që sa më shpejtë të nxjerrë një vendim të tillë pa më thirrur në dëgjim për t u “arsyetuar “, për “mungesën” time në kohën e inspektimit të tij ! Natyrisht, një drejtor i tillë, atyre “lart” u shërben vetëm si vegël qorre, ndaj edhe përkujdeset që shërbimet e tyre, edhe kur nuk janë të bazuara në ligj, t ua realizojë me besnikëri, paqka se hakmarrja e minsitrit Ismajli, është e nepërdukshme dhe e pafaktueshme, por që gjithësesi duhet të realizohet, meqë dikush ka guxuar atij t ia grisë vellon e virtualitetit, të të bëmave të tijajovirtuale !Dhe shih, për gjithë këtë, “… dyshohet se ka kryer shkelje të detyrave të punës të përcaktuara nga QKUK-ja, siç është kujdestaria 24 orëshe të cilën nuk e kishte respektuar dhe e kishte lëshuar QKUK-en, pa marrë leje nga askush” . Pra, përjashtohem nga puna si i “ dyshuar” se kam bërë shkelje të detyrave të punës, kujdestaria 24 orëshe, që thenë të drejtën, në vendimet e lëshuara si të punësuar në QKUK, nuk figuron si obligim i punës!

Megjithatë, ky dikush që guxon t ia grisë vellon virtuale ministrit, ka një histori të begatë rebelimi, për të vërtetën dhe në luftë me ata të sojit Sejdiu e Ismajli. Është po ky që guxoi më 1979, si student I mjekësisë, bashkë me Emrush Xhemajlin, Xhabir Morinen, Ymer Graincën, Ilaz Hysajn, Ibrahim Shalen, Skender Avdiun, Envder Shaqirin e ndonjë tjetër, të fillojnë ngritjen e celulave treshe për të luftuar regjimin titist, por që dikush ishte përkujdesur t’i vërë emrat në një fletore dhe UDB-ja e atëhershme i kishte nxënë e arrestuar që në nismë; ky rebel, që më 1989, në Mbledhjen e organizuar nga Celula bazë e Klinikës së Kirurgjisë, guxoi t i dalë në mbrojtje “Apelit të 215 intelektualëve” dhe të bëjë të ikin me bisht ndër shalë, Papoviqin, Maxharrajn dhe gjithë elita komuniste e Universitetit dhe Komitetit të atëhershëm Krahinor të LKJ-ës,, ndonëse kur ishte nënshkruar Apeli, ishte në specializim në Lubjanë, por ja që ishte deklaruar se “Apelin” e konsideronte si diçka krejtësisht legjitime dhe mbrojtje të vlerave e të arriturave të Kosovës, e që makineria luftënxitëse e Millosheviqit, dëshironte që të dekapitonte Universitetin e Prishtinës dhe jo vetëm atë. Për hire të vërtetës, komunistët e atëhershm ishin treguar më të arsyeshëm e më të “mëshirshëm” drejtori Sejdiu e ministri Ismajli dhe ishn mjaftuar që këtë rebel, që nuk di të heshtë në mbrojtje të së vërtetës, vetëm ta përjashtojnë nga LKJ-a! Po ky rebel, i gjithëkohsëm për të vërtetën edhe në vitin 1990, kishte guxuar që në Rilindjen e atëhershme të shkruaj një artikulll, kundër Ministrit të Shëndetësisë së Sërbisë, Gaqiq, me titull, “Prova të skolastikës mesjetare”, duke vërtetuar me fakte për helmimin e nxënësve shqiptarë, nëpër shkollat e Kosovës, por që mëgjithatë, Qeveria e atëhershme e Sërbisë, e cila kishte vënë dorë mbi autonominëe Kosovës, ishte mjaftuar vetëm me ndalimin e daljes së “Rilindjes”, por jo edhe me përjashtim nga puna, siç ngjanë sot, të autorit të saj ! Po ky rebel, i mbrojtjes të së vërtetës, i kishte thenë drejtorit të Klinikës së Kirurgjisë, më 1990, Bullajiq, se nuk zbaton urdhërat e një Ogani të Dhunshëm, të ardhur dhunshëm dhe ishte larguar me polici, më 1990, por që kishte sfiduar, pak kohë më vonë, shëndetësinë e pushtuar nga serbët, me hapjen e ambulantës së parë private, bashkë me kolegët Hasan Ahmeti e Hysni Arifi, për ta shndërruar më vonë në spital ( “ Uroplastica Medicus”), në Ferizaj, ku mjekoi, bashkë me kolegët e tij gjithë hallexhinjtë dhe ushtarët e UÇK-ës dhe që ngadalë e kishin transferuar në Mollopolc, e që gjatë bombardimeve të NATO-s, ishte Spitali i vetëm ushtarak që jepte shërbime spitalore për UÇK-ën, deri në fund të luftës dhe që më 21 Qershor, 1999, bashkë me Dr. Nehat Baftiun e Dr. Hysni Arifin, u kthyen në Spitalin e atëhershëm, që më vonë u quajt QKUK dhe vendosën 32 ushtarë të plagosur dhe morën drejtmin e saj nga sërbët, të cilët deri atëherë udhëhiqnin me të . Po ky rebel i përjetshëm, në mbrojtje të së vërtetsë ishte i pari që iu kundërvu edhe Anthony Redmond-it, udhëheqësit të QKUK-ut nga UNMIKU dhe i shkroi, po dy letra të hapura, për udhëheqje jo të mirë të QKUK-ut dhe keqpërdorime të parave që ishin destinuar për QKUK-un dhe ushkarkua nga post i drejtorit të Klinikës së Kirurgjisë, por që e vërteta për Redmond, nuk vonoi e doli në “Sandy mail” me titull” Thërrimat e ndihmës angleze për Spitalin e Prishtinës”! Po ky rebel, i pa nxënë mend, më 2007, i shkroi letër të hapur ish rektorit të Universitetit të Prishtinës, Enver Hasanit, për manipulimet e tija të shumëta me avansimet akademike dhe që rezultoi me kalimin tim nga asistent i rregullt, në asitent me honorar, por që ish rektori, më vonë u akuzua për abuzime financiare e të tjera, dhe dihet tashmë fundi i tij i palavdishëm. Po, ky rebel i panxënë mend, më 2010, pati guximin të dal i vetëm,nga mjekët shqiptarë, kundër “Rraportit të Dick Martit “, për kinse marrje veshkash nga sërbët dhe tregtinë me to nga UÇK- ja,po me një letër të hapur, duke mbrojtur me fakte luftën e drejtë dhe të panjollosur të UÇK-së, por që pasuesit e saj e vulosën me turp pushtetin që duhej tu “takonte” vetëm atyre dhe që s lanë gurë pa lëvizur, për ta nxënë në“ faj” autorin e këtyre rreshtave, deri sa erdhën deri këtu që të stisin një raport krejt të pavërtetë dhe të marrin një vendim, që i kalon kufijtë e absurdit dhe vështirë të gjesh edhe në veprat e Samjuel Beketit e të Franc Kafkës. Ata që e kanë lexuar “ Procesin” e Franc Kafkës, me siguri mund të gjejnë mjaft ngjashmëri me procesin( raportin) e sotëm dhe vendimin e Basri Sejdiut, dhe sigurisht nuk do ndjehen të habitur, nga një vendim i tillë alla kafkian !Pra, rebelimi im për të vërtetën i ka rrënjët që moti dhe ai nuk di të ndalet, por as autori i tyre nuk di të përkulet. Ju mund të bëni çfarë t iu teket e çfarë të mundeni, por kurrë nuk do më bëni të përkulem para injorancës dhe arrogances mjerane që ju përfaqësoni, pa ngurruar për asnjëçast së thëni të vërtetën dhe vetëm të vërtetën ! Dhe e vërteta është se shërbimi shëndetësor publik në Kosovë kurrë s ka vuajur më shumë se sot, megjithë reklamat virtuale të ministrit, se shërbimet shënedetësore në kohën e tij kanë lulëzuar ! Unë edhe dje në sallën operatore, kur nuk kishim kapela dhe maska për personelin dhe po i obligojmë famijarët e të sëmurëve të na i blejnë ato, duke qeshur në sallë, u thash kolegëve dhe të pranishmëve se do i shkruaj ministrit edhe një letër të dytë. Ata duke qeshur po më thoshin : mos e bëjë këtë se do ia hashë kokën ndokujt, siç ia hëngre kokën ish drejtorit, Rexhep Kasumajt, me letrën e parë !Ndoshta i paskësh shkuar në vesh ministrit dhe u përkujdes këtë herë për kokën time. S ka gjë, unë moti e kam “kërkuar” një fat të tillë, por po më dhembsen edhe dy kolegët tjerë të cilët, në stilin e drurit të njomë që digjet pranë të thatit, pra kolegu Bedri Braha dhe Defrim Koçinaj, u desh të digjeshin, për tu dukur që kjo hakmarrja uraniane, të mos duket e tillë !Natyrisht, po më dhimbsen edhe dy pacientët që ishin në program, njëri me karcinomë të avansuar të fshikës dhe tjetri me karcinomë të prostates, të cilët nuk do mund të operohen dhe çdo shtyerje e intervenimit i shpie më afër vdekjes, sepse largimi im në stilin alla Uran dhe alla Basri, vetëm për hakmarrje, si dhe ngritja e kurthit për ish drejtorin e Urologjisë, Dr. Rexhep Kasumaj, e dekapiton Klinikën e Urologjisë dhe rastet e rënda do mbeten pa përkujdesjen e duhur ose do jenë të detyruar të ikin jashtë Kosovës! Por, ministri virtual dhe drejtori bishtnxënë, nuk e marrin fare në konsideratë këtë fakt, mjafton që ata të hakmerren dhe të bëjnë rolin e të fortit, duke zhvendosur vëmendjen nga problemet reale që ka shëndetësia kosovare, alias ShSKUK-ja, si e vetmja qendër terciare në Kosovë.

Dhe për fund do të shërbehem me fljalët e Galileo Galileut, i cili para ekzekutimit dhe kur ata që po e çonin në litar pritnin pendimin e tij, u tha : “ E megjithatë, toka sillet !”. Dhe unë po u them juve minister virtual dhe juve drejtor bishtnxënë se : megjithatë shëndetësia kosovare si asnjëherë vuan nga mungesa të shumëta, deri edhe kapela dhe maska për kirurgët, gjë që janë të detyruar t i bljejnë pacientët.

Si dëshmi po ua sjell një kopje tëvendimit të drejtorit Basri Sejdiu për largimin tim të përkohshëm;kërkesën qëshefi i shërbimit të sallave të Urologjisë, Dr.Sabri Hyseni i ka drejtuar drejtuar ish drejtoritt të Klinikës së Urologjisë, Dr. Rexhep Kasumajt, ku shihen mungesat që ka klinika si dhe kërkesat e nenshkruara nga unë, për blerje tëmaterialit, për sallëoperatore, nëmënyrë që të kryhet një intrervenim kirurgjik në ShSKUK, pra edhe maska e kapela për personelin!

E,megjithatë në Mollopolc, në Spitalin Ushtarak të UÇK-së, ku shërbeva gjatë luftës dhe operova mbi 52 të plagosur rendë, nuk ndodhte diçka e tillë, ndonëse ishte luftë !

Dr. Sci. Isa I. Haxhiu, urolog

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme