Pata mundësi të ndjek një seancë parlamentare ku disa botues ishin thirrur të jepnin mendime për ligjin e librit dhe pas dy orësh të mërzitshme nuk kuptova asgjë.
Pra nuk kuptova nëse botuesit ishin pro ligjit, kundër ligjit, apo kishin disa propozime për ta ndryshuar ligjin.
Por kur u pa qartë se botuesit kishin shkuar në takim pa asnjë qëllim, ata arritën sidoqoftë një fitore të vogël megjithëse as këtë nuk e kishin qëllim.
Me tekstin e tyre jashtë kontekstit, ata i hutuan deputetët dhe kështu një seancë që duhet të përmirësonte ligjin e librit u kthye në një muhabet ku u fol për gjithçka, përfshi edhe për facebookun tim.
Meqë i njoh prej vitesh botuesit e Shqipërisë, kam arritur të kuptoj se nuk ka asgjë që ata e urrejnë më shumë se njëri-tjetrin.
Por edhe pse nuk honepsen fare, ata bashkohen gjithmonë në një pikë: që tregu i librit të mbetet informal.
Informaliteti është arma e tyre, pushteti mbi shtetin dhe diktati mbi shkrimtarët.
Ata e kanë kthyer kaosin në normë, rrëmujën në rregull dhe errësirën e shifrave në një abazhur me të cilën vënë në gjumë shkrimtarët.
Disa ditë më parë u detyrova të akuzoj publikisht një ish botuesen time për vjedhje.
Presioni natyrisht bëri efekt dhe pas dy ditësh ajo i përmbysi shifrat që më kishte raportuar dhe i korrektoi jo me një, as me dy, por me dhjetë herë.
Pra pranoi se më kishte vjedhur dhjetë fish.
Dhe meqë unë u ankova se sistemi i shitjes së librit i jep mundësi botuesve t’i vjedhin shkrimtarët, deputetët i pyetën botuesit në seancën e hapur.
Siç e prisja, njëri prej tyre, me sigurinë e një eprori, pra jo vetëm të shefit të botuesve por edhe të shefit të vetë shkrimtarëve, tha se çështja e vjedhjes nuk është fare çështje pasi kjo zgjidhet me kontratë.
Me pak fjalë botuesi tha se çdo shkrimtar mund të kontrollojë depot, mund të numërojë tirazhet, të bëjë roje te shtypshkronja, të presë kur furgonat me libra dalin që aty, t’i shkruajë letra tatimeve, pastaj kur të gjithë këto përpjekje dështojnë, të bëjë një xhiro nga Prishtina në Sarandë duke pyetur sa libra janë shitur.
Kështu, me tundjen e kokës së botuesve dhe me uljen e kokës së deputetëve, ky muhabet u mbyll dhe ligjit të librit nuk iu bë asnjë përmirësim.
Për fat të keq askush nuk pyeti si ndodh në Francë, në Itali, në Slloveni apo në Finlandë ku botuesit dhe shkrimtarët nuk akuzojnë njëri-tjetrin për vjedhje, sepse marrëdhënien e tyre të shëndoshë e garanton shteti.
Për formalizimin e tregut nuk u fol fare sepse kjo temë nuk u intereson botuesve dhe askush nuk tha se cdo libër i shitur pa faturë fiskale ka dy përfitues dhe dy humbës.
Sa herë një libër shitet pa faturë dy veta kanë vjedhur dy të tjerë.
Botuesi dhe shitësi kanë vjedhur autorin dhe shtetin.
Kaq e thjeshtë është.
Sikur të isha në atë seancë do t’i bëja vetëm një pyetje deputetëve që u hutuan nga marifetet e botuesve dhe i trajtuan shkrimtarët si prodhues zarzavatesh që kanë ngatërruar plehun kimik.
A e dinë ata kush ka qenë botuesi i Naim Frashërit ?
Po botuesi i De Radës?
Po botuesi i Migjenit kush ka qenë?
Asnjeri nuk e di dhe nuk ka pse ta dijë.
Botuesit e tyre koha i ka mbuluar me pluhur.
Njerëzit lexojnë shkrimtarët bashkë me librat e tyre.
Kur një shkrimtar shkruan keq fajin nuk e ka as shteti as botuesi por shkrimtari vetë.
Shkrimtarë pa botues ka, por botues pa shkrimtarë nuk mund të ketë.
Homeri nuk kishte botues dhe ndoshta prandaj i rezistoi kohës.
Por për fat të keq në Shqipëri është krijuar një sindikatë botuesish që kanë më shumë të drejta se shkrimtarët.
Ata dalin në televizor nga mëngjesi në darkë, ata flasin për shkrimtarët, ata janë kritikë, taktikë, teknikë, shitës, shtypës, lidhës, zgjidhës, tregtarë dhe xhandarë.
Ata pyeten kur ndryshojnë ligjet, ata pyeten sa ta bëjmë tvsh e librit, atyre ju merret mend si do jetë qendra e librit, sa para do harxhohen aty, kujt do t’i jepen ato, ata japin nota, vendosin kuota, vlerësime, fjalime dhe ata i bëjnë gjyqin shkrimtarëve.
Ata janë tregtarë që sillen si pronarë dhe akuzojnë shkrimtarët se pse nuk shiten më shumë libra.
Për hir të së vërtetës shkrimtarët shqitarë nuk shkruajnë më keq se shkrimtarët grekë, serbë apo maqedonas por shiten shumë më keq se ata.
Botuesit e Shqipërisë dinë të shesin, por nuk dinë të marketojnë ç’ka do të thotë se nuk dinë as të shesin.
Kohët kanë ndryshuar. Dikur shitej sot marketohet.
Por atë pjesë të kostos së një libri që duhet të shkojë për marketing botuesit e përdorin për të dalë në televizor vetë dhe kështu nuk shesin shkrimtarët por mendimet e tyre.
Ata e trajtojnë marrëdhënien me shkrimtarin si një marrëdhënie tregtare kur nuk duhet dhe nuk mund të jetë kështu.
Duam apo nuk duam Shqipëria që kemi sot nuk është prodhim i tregtarëve por i shkrimtarëve.
Rilindja që e krijoi këtë vend nga vjershat, nuk ishte një aktivitet tregtar, por ishte një aktivitet kulturor që më vonë u bë dhe politik.
Kështuqë Shqipëria i ka një borxh edhe më të madh shkrimtarëve.
Sikur brenda kësaj jave të mallkuar të mos e kisha kapur ish botuesen time në flagrancë duke më vjedhur dhe sikur nja dy botues të tjerë, që i kam miq, mos ma shpifnin duke folur kaq shëmtuar për shkrimtarët, nuk do isha futur në këtë tunel interesash të ngushta.
Por meqë jam mësuar të zihem edhe me deputetët edhe me botuesit duhet të them dicka për të dy palët.
Çështja e librit në Shqipëri nuk është një problem tregtar.
Çështja e librit është një problem kombëtar.
Kur dikush kërkon të shërojë një pandemi, ai flet me mjekët dhe shkencëtarët dhe jo me tregtarët e ilaceve.
Kështu është edhe puna e librit sot.
Shqipëria është përballë një pandemie.
Kjo pandemi quhet injorancë.
Sipas statistikavë zytare ne jemi vendi i fundit në Evropë për lexim librash, i fundit në Evropë për librari për frymë, jemi një vend ku 80 për qind e njerëzve pranojnë se nuk kanë lexuar asnjë libër për pesë vitet e fundit.
Praktikisht jemi vendi më injorant në Evropë aktualisht.
Dhe nëse sëmundjet e trupit shërohen me ilace, injoranca, që është sëmundja e sëmudjeve të një shoqërie, shërohet vetëm me lexim.
Me libra.
Prandaj cështja e librit nuk duhet trajtuar si një allishverish i botuesve por si një krizë me përmasa kombëtare.
Meqë i njoh shumë mirë botuesit, sic njoh shumë mirë dhe deputetët, e di poaq mirë se ku përfundon shartimi i këtyre dy racave.
Zakonisht askund.
Vjen një ditë kur ata sillen njëlloj dhe bëjnë të vetmen punë që dinë të bëjnë : të flasin shumë pa thënë asgjë.
Dikur kisha një botues i cili pasi shiti 30 mijë kopje vetëm nga një libër i imi, si për t’i vënë një qershi tortës së nderit që i kisha bërë, më kërkoi ta bëja deputet.
E bëra dhe që atë ditë u cmend.
Kjo histori mu kujtua kur pashë seancën për librin në kuvend.
Botuesit u përpoqën të cmendin deputetët dhe pothuajse ia arritën.