Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, së bashku me kryetarin e Komunës së Podujevës, Agim Veliu, dhe kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, kanë vendosur gurthemelin për ndërtimin e tribunave në Stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, me kapacitetet prej 3200 ulëse, sipas kategorisë së dytë të UEFA- së, ku do të investohen 640 mijë euro.
Ministrja Dumoshi u shpreh se ndihet e lumtur që së bashku me kryetarin e Komunës së Podujevës, Agim Veliu dhe kryetarin e FFK-së Fadil Vokrri, po inauguron investimet në këtë stadium.
Vlora Dumoshi ka thënë ky projekt është një vazhdimësi e programit dhe politikave të Qeverisë së Kosovës, si dhe angazhimeve të saj për ndërtimin dhe përmirësimin e infrastrukturës sportive në vend.
Ajo më tej theksoi se MKRS-ja ka investuar edhe më herët në këtë stadium.
Dumoshi shprehu mirënjohje për kontributin e sportistëve dhe veçanërisht të Kryetarit të FFK-së, Fadil Vokrri, për zhvillimin dhe avancimin e sportit të Kosovës, sidomos në anëtarësimin e Kosovës në UEFA dhe FIFA.
Ky është investim i përbashkët i MKRS-së, Komunës së Podujevës dhe FFK-së. MKRS- ja ka hartuar projektin dhe investon vlerën më të madhe të projektit.