Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Vlora Dumoshi në një ceremoni i ka ndarë çmimin kombëtar për vepër jetësore “Bekim Fehmiu”, regjisorit Ekrem Kryeziut, raporton Ekonomia Online.
Përderisa çmimi vjetor në kinematografi i është ndarë regjisorit Samir Karahoda. Dumoshi në një fjalë rasti tha se është ditë e veçantë që po ndahen këto dy çmime.
“Sot jemi në ndarjen e çmimit vjetor për kinematografinë. Epokat tona kanë qenë të trishta dhe me shumë presione, por duhet të çmohet pjesa e viteve të 90 shpërndarja e filmit që kanë qenë prodhim i Ekrem Kryeziut”.
Sipas saj, do të rritet buxheti për kulturë për këtë vit dhe uroi që pandemia të kalojë e tu kthehen angazhimeve të tyre të përditshme.
Përderisa regjisori Kryeziu theksoi se ndihet i nderuar që për herë të parë merr çmim në Kosovë, raporton EO.
“Është kënaqësi që për herë të parë mora çmim në Kosovë. E çmoj këtë çmim sepse e mora nga njeriu ynë. Aq kam punuar me njerëz sepse suksesi im ka qenë edhe i juaji”.
Samir Karahoda shtoi se kanë marrë disa çmime dhe ka qenë prezent në 60 shtete të botës.
“Është motivim për projekte të ardhshme. Puna që e kemi bërë në të kaluarën ka konfirmuar se mund të dalë diçka e mirë dhe ta prezantojmë kinematografinë në formën më të mirë”.