MKRS-ja pezullon licencën e Federatës së Karatesë

Prishtinë | 11 Sht 2023 | 18:02 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ia ka pezulluar licencën e Federatës së Karatesë së Kosovës (FKK).

MKRS-ja ka thënë se pezullimi është bazuar në rekomandimin e Komisionit Vlerësues për Licencim të Federatave Sportive.

Është thënë se pezullimi mund të largohet brenda 45 ditëve nëse FKK-ja plotëson pikat që ka listuar Komisioni Vlerësues në rekomandimin për pezullim.

Në rekomandimin e Komisionit Vlerësues është thënë se obligohet Federata e Karatesë që brenda 45 ditëve nga data e pezullimit ta ripërsërisë Kuvendin e jashtëzakonshëm zgjedhor të respektojë ligjet dhe udhëzimet administrative.

Është kërkuar nga Federata që ta njoftojë MKRS-në/Departamentin e Sportit për mbajtjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm dhe më së largu 7 ditë para mbajtjes së Kuvendit të njoftojë Komisionin për licencim me listën e anëtarëve dhe delegatëve që do të jenë prezentë.

Po ashtu është kërkuar që në Kuvend të marrin pjesë vetëm anëtarët e FKK-së që kanë përmbushur kriteret për licencim.

Të ngjashme