Në 25-vjetorin e kalimit në amshim të Shën Nënë Terezës, Qeveria e Republikës së Kosovës ka organizuar “Ditët e Nënë Terezës” me aktivitete të shumta kulturore dhe përkujtimore, raporton Ekonomia Online.
Me këtë rast, të premten Ministria e Kulturës ka mbajtur tryezë për figurën e Shën Nënë Terezës, e cila u vlerësua lartë nga të pranishmit.
Aty u vlerësua lartë kontributi dhe humanizmi i Nënë Terezës për njerëzimin.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, profesori Jahja Drançolli, tha se koha kur Nënë Tereza u përcaktua të shkojë për murgeshë, ishte viti 1942.
Ai tha se veprat për Nënë Terezën është vështirë të gjenden, pasi sipas tij ajo nuk ka dashur të jetë e popullarizuar.
“Unë kam kontaktuar me disa studiues në Beograd që merren me etnologji, dhe atje Gonxhe Bojaxhiu flitet se në vitin 1942, përcaktohet të shkojë si murgeshë. Me kolegë edhe nga Kroacia kam biseduar për këtë çështje dhe vështirë kemi gjet dosje që flasin për jetën e Nënë Terezës”, tha ai.
Ipeshkvi i Kosovës, Dom Lush Gjergji, foli për jetën dhe veprën e Nënë Terezës. Ai tha se vuajtjet e banorëve të një fshati në Maqedoninë e Veriut, ishte shtysë që ajo të shugurohet si murgeshë.
“Unë i kam hyrë kësaj pune si 20 vjeçar dhe fizikisht në Romë e kam takuar për herë të parë. Fatbardhësisht më nuk i jam ndarë kësaj rruge. Gonxha e jonë është lindur me një ambient të njëjtë në Indi. Është interesante thirrja e saj, ishte në një familje të pastër. Babai saj ishte atdhetar dhe në këtë frymë i rriti fëmijët e saj dhe nëna e Gonxhës ishte bamirëse, e cila për ata që kishin nevojë iu dilte në ndihmë. Është interesant babai saj se kur e kishte par vuajtjet e fshatit Letnicë, kishte ndërtuar një strehimore dhe kjo i lidhte më shumë shpirtërisht. Nga aty, 1928 Gonxhja jonë u vendos si murgeshë dhe vizionin e kishte të qartë dhe hyjnor dhe donte të bëhej motër që do t’iu ndihmonte të varfërve”, tha ai.