500 familje do të ndihmohen nga mjetet që janë fituar nga mini-maratona humanitare “Vrapo Babadimër”, raporton Ekonomia Online.
Organizatori i kësaj maratone, Jusuf Islami, tregoi se Kosova iu është bashkuar 60 shteteve të botës, që organizojnë këso maratone. Ai tregoi se sivjet ishin rreth 850 pjesëmarrës.
“Këtë vit do të ndihmohen rreth 500 familje, të cilat do të përzgjidhen nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale. Për 150 babadimra nuk arritëm t’i kemi 1000… Kosova hynë në mesin e 60 shteteve të botës për këtë maratonë. Janë shpërndarë certifikata për të gjitha biznesit të cilat kanë kontribuar në mbajtjen e maratonës”, tha Islami, raporton EO.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, tha se qëllimi i kësaj mini-maratone është i rëndësishëm.
“Ne e kemi mbështetur projektin që në një natë siç është ndërrimi i motmoteve te jemi bashkë me këta fëmijë”, tha Gashi.
“Urime për të gjithë ata që kanë dalë të parët në këtë mini-maratonë. Kjo mirënjohje është obligim për ministrinë që ka ndaj këtyre personave, nuk është mirënjohje për vullnetin që kemi pasur, por për obligimin”, tha ai.
Nabehate Maçastena zuri vendin e parë në kategorinë e të rriturve; vendi i dytë shkoi për Lumturie Muhadrin, dhe Leonita Zeqiri u radhit e treta.
Në kategorinë e meshkujve, triumfoi Tiron Mamushaj; kurse Arlindi doli i pari nga fëmijët me Sindromën Down.
Për organizatorin Jusuf Islami, kjo ngjarje ishte e veçantë. “I propozova të dashurës dhe ajo pranoi”, tregoi ai.