Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) ka ndarë çmimet vjetore për teatër. Ministri Kujtim Gashi ia ka dorëzuar çmimin për vepër jetësore aktores Myrvete Kurtishi.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Kujtim Gashi, tha se në Ditën Botërore të Teatrit është privilegj të nderohen aktorët për punën e tyre shumëvjeçare, raporton Ekonomia Online.
“Me rastin e Ditës Botërore të Teatrit, është një punë e shkëlqyer që ka bërë një juri profesionale. Jam i bindur që vendimi i tyre ka qenë profesional. Neve si ministri na mbetet të vlerësojmë punën e juaj gjatë vitit 2017 dhe të inkurajojmë artistët që viti 2018 të jetë vit i angazhimit me punën e juaj”.
“Ne si ministri do të ndihmojmë juve edhe me këto çmime, edhe përmes rrugëve alternative. Konfirmoj se do të jemi mbështetës të gjithë aktorëve. I uroj të gjithë aktorët për Ditën Botërore për Teatrin”, ka thënë Gashi.
Fituesja e çmimit aktorja, Myrvete Kurtishi, shprehi falënderime për ndarjen e çmimit dhe shtoi se atë e priti për 40 vite karrierë.
Çmimi për shfaqjen më të mirë iu nda Teatrit të Qytetit të Prizrenit “Bekim Fehmiu” për shfaqjen “Armiku i Popullit”, të regjisorit Fatos Berisha.
Çmimi për regjisorin më të mirë iu dha Kushtrim Bekteshit për shfaqjen “Ata që ikin”.
Luan Daka, njëri ndër anëtarët e jurisë, tha se dy prej pesë çmimeve të përcaktuara për këtë vit nuk janë ndarë për arsye të ndryshme.
“Çmimi për aktorin më të mirë, me shumicë votash nuk ndahet fare për këtë vit. Pas një debati që për këtë vit ky çmim të mos jepet fare”.
“Juria ka konstatuar që gjatë vitit 2017 ka pas shumë më tepër për këtë çmim për arsye objektive e subjektive nuk janë sjell para jurisë. 4 nga anëtarët e jurisë kanë shfrytëzuar të drejtën për të mos votuar dhe nuk është ndarë”.
Çmimi për prezantim të suksesshëm ndërkombëtar nuk ndahet fare. Juria ka vlerësuar se projektet e nominuara për vitin 2017 nuk kanë arritur qëllimet e caktuara.