MKRS u jep mundësi të rinjve për t’i përgatitur për tregun e punës

Prishtinë | 05 Nën 2018 | 12:00 | Nga Medina Mehmeti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Shumë të rinj nga 7 rajone të Kosovës, të cilët kanë ndjekur “Trajnime për Ndërmarrësi dhe Zhvillim të Planeve të Biznesit”, sot morën certifikata nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi.

Ministri Gashi tha se përmes këtij projekti që ka përfshirë trajnime për ndërmarrësi, MKRS-ja është munduar t’u ndihmojë të rinjve për t’i përgatitur për tregun e punës.

Ai shtoi se rinia e Kosovës është rini e shëndoshë e me ide kreative, raporton Ekonomia Online.

“Është moment i veçantë për mua dhe ministrinë të jemi në këtë ceremoni. Jemi mbledhur bashkërisht për ta konfirmuar mbështetjen e Ministrisë së Kulturës. Siç e dimë, pjesa dërmuese e popullsisë së Kosovës  janë në moshë të re, prandaj ky është kapitali që ka Kosova aktualisht, me një rini shumë të shëndoshë, me ide brilante e kreative. Neve na mbetet të krijojmë politika në mbështetje të rinisë. Jam i lumtur që në këtë 3-mujor të këtij viti kemi arritur t’i mbështesim 5 organizata në 7 regjione të Kosovës. Përmes këtij projekti kemi synuar përgatitjen e të rinjve për tregun e punës përmes trajnimeve për ndërmarrësi”, është shprehur Gashi.

Ai ka thënë se përmes këtyre trajnimeve u është dhënë mundësia e përgatitjes për një biznes plan të gjithë të rinjve, grupeve të margjinalizuara, grave dhe komuniteteve të ndryshme.

“MKRS do të punojë që rinia mos ta sheh si zgjidhje largimin nga Kosova. Jemi në prag të ristrukturimit edhe të programeve brenda departamentit. Të gjithë të rinjtë që kanë ide e plane do ta kenë mbështetjen e MKRS-së”, është shprehur Gashi.

Xhevat Bajrami, drejtor i Departamentit të Rinisë, ka treguar më shumë për këtë trajnim.

“Në emër të Departamentit të Rinisë ju uroj suksese në punën e juaj në të gjitha qytetet e Kosovës. Departamenti i Rinisë ka paraparë politikën programore në rritjen e punësimit të të rinjve. Falënderoj të gjitha organizatat implementuese. Këto trajnime janë zhvillu në 7 rajone të Kosovës. Shpresoj se në të ardhmen ju të jeni biznesmenë të rinj”, ka thënë Bajrami.

Safet fazliu nga organizata Konsulentë për Ndërmarrësi, ka thënë se nga këto trajnime për gjatë 3-4 vjetëve, kanë përfituar mbi 10 mijë të rinj.

“Ajo cka mund të them per rininë se nga përvoja jonë kemi vërejt se kemi një rini shumë energjike, entuziaste dhe jemi shumë të befasuar nga idetë tuaja kreative të të bërit biznes. Këto ide do të mbesin pa realizuar pa përkrahjen e tyre. Meqenëse ne si kompani konsulente për një kohë të gjatë merremi me trajnime në fokus kemi pasë rininë. Nga trajnimet tona  gjatë 3-4 viteve të fundit kanë përfituar mbi 10 mijë të rinj. Kërkoj nga ministri që në vitet e ardhshme ta rritë buxhetin për të rinjtë për trajnime të tilla”, ka thënë ai.

Elvira Ukiqi nga Vushtrria, njëra nga pjesëmarrëset e këtij trajnimi, ka treguar përvojën e saj gjatë kësaj periudhe sa ka zgjatur trajnimi.

“Për 15 ditë kemi ndjekur trajnim për ndërmarrësi dhe kemi pasur një përvoje sepse kemi mësuar gjëra që nuk i kemi ditur”, ka thënë ai.

E ministri Gashi ka thënë se ka vendosur që numrin e të rinjve pjesëmarrës në këtë trajnim ta rris në 100 .

” Tash u njoftova se ky projekt ka planifikuar të ketë rreth 40 të rinj por unë vendosa që numrin me rrit deri në 100. Që të gjithë të rinjve t’u japim mundësi dhe besoj që ky nuk do të jetë rasti i fundit sepse do të kemi edhe projekte të tjera ne të ardhmen”, ka thënë Gashi.

 

Të ngjashme