Mlladiq “nuk është në gjendje të marrë pjesë në seancën kundër dënimit për gjenocid”

Prishtinë | 25 Gus 2020 | 15:46 | Nga Ekonomia Online

Dragan Ivetiq, avokati i ish-shefit ushtarak të serbëve të Bosnjës, Ratko Mlladiq, i ka thënë një gjykate të Kombeve të Bashkuara të martën se klienti i tij rrezikon të përballet me “dështim të drejtësisë”, sepse ai nuk është mendërisht i gatshëm që të marrë pjesë në një seancë kundër dënimit të tij për gjenocid.

Mlladiq ka sfiduar vendimin e vitit 2017 për dënim me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, në konfliktin civil në ish-Jugosllavi, duke përfshirë masakrën e Srebrenicës më 1995.

“Unë nuk jam në gjendje të marrë udhëzime në mënyrë të duhur nga zoti Mlladiq, dhe as të sigurohem se ai është i aftë të marrë pjesë” në procedurë, ka thënë Ivetiq, në seancën e zhvilluar pjesërisht përmes video-konferencës, për shkak të pandemisë me koronavirus.

Ai ka thënë se seanca dyditore, që ka nisur të martën, nuk duhet të vazhdojë pa analizuar gjendjen shëndetësore të 77-vjeçarit.

Në një seancë të mbajtur muajin e kaluar, ekipi ligjor i Mlladiqit ka thënë se ish-gjenerali mund të jetë duke u përballur me shenja të para të harresës.

Megjithatë, seanca ka vazhduar pavarësisht kundërshtimeve të avokatit Ivetiq.

Mlladiq është parë në gjykatë me maskë, për shkak të rregullave të nxitura nga koronavirusi, mirëpo më vonë e ka hequr atë plotësisht.

Avokatët e Mlladiqit kanë përsëritur ankesat për gjendjen e tij shëndetësore, mirëpo gjyqtarët kanë thënë se avokatët “nuk kanë ofruar të dhëna se Mlladiq nuk mund të komunikojë, të konsultohet me këshilltarët apo të kuptojë esencën e procedurave”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme