Ushtruesi i detyrës së ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, ka vizituar Bashkësinë Islame të Kosovës dhe është takuar me myftiun Naim Tërnava, më të cilin ka biseduar rreth aksionit të pastrimit të Kosovës.
Pas takimit, Matoshi tha se falë bashkëpunimit me Bashkësinë Islame, në 800 xhamitë, sa janë në Kosovë, do të ligjërohet për ambientin, raporton Ekonomia Online.
“BIK-u është institucion i respektuar, ka 800 xhami dhe në të gjitha xhamitë do të ketë thirrje për pastrim. Ne me BIK-un do të bashkëpunojmë në të gjitha fushat, mirëpo për këtë temë na bashkon pastërtia e vendit tonë”.
Myftiu Naim Tërnava tha se Bashkësia Islame e Kosovës do ta mbështesë këtë aksion bazuar edhe në parimet e fesë Islame, raporton EO.
“Jam i gatshëm si myfti që të japim kontributin tonë për vepra të mira. Bazuar në fenë tonë, islami kërkon që vendi dhe të gjithë të jemi të pastër. Po që se e përkthejmë pastërtinë në term tjetër, ajo ka kuptimin e jetës. BIK-u në ditën e xhuma në të gjitha xhamitë do të mbajnë ligjërata për ruajtjen e ambientit”.
Luan Hasanaj, drejtor i “Let’s Do it Kosova”, ftoi të gjitha bashkësitë fetare t’i bashkohen kësaj nisme.
“Misioni jonë është t’i bëjë bashkë të gjithë që ta kemi Kosovën të pastër. Dua t’i inkurajoj edhe bashkësitë fetare që t’i bashkohen kësaj nisme që ta kemi Kosovën më të pastër”.