Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), Fatmir Matoshi, së bashku me kabinetin e tij ka vizituar Gjilanin, ku është pritur në takim nga kryetari i komunës, Lutfi Haziri, raporton Ekonomia Online.
Gjatë këtij takimi është biseduar për realizimin e projekteve të përbashkëta në fushën e mjedisit.
Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, tha se po synojnë një qytet të pastër dhe ekologjik.
“Kemi dy të mira, e para nga ky moment fillojmë shënimin e aktiviteteve të Pavarësisë dhe duke dashtë me gëzu çdo ditë, jo vetëm këtë ditë. Tashmë buxheti i miratuar bënë mbështetje. Ne synojmë me e bë qytetin e Gjilanit ekologjik. 100.000 euro grante të fituara do të shkojnë prapë në ambientin. Dhe do të vazhdojmë me i realizu premtimet tona”, tha Haziri.
Ministri i MMPH-së, Famir Matoshi, foli rreth projekteve që do të fillojnë në komunën e Gjilanit dhe shifrën e projekteve të ndara, raporton EO.
“Krijimi i zonave të gjelbërta në Gjilan në vlerë prej 700.000€; Vazhdimi i punimeve në Lumin Mirusha në vlerë prej 250.000€; Ndërtimi i kanalizimit në shtratin e lumit në Dobërqan në vlerē prej 550.000€; Pastrimi i shtretërve të lumenjve Morava dhe Stanishorka në vlerë prej 100.000 €; Granti i Performancës “ Ta pastrojmë Kosovën” – 100.000€”, tha Matoshi.