Ajo që e ka karakterizuar për një kohë të gjatë strategjinë e Albin Kurtit, ka qenë edhe agravimi i tensioneve dhe konflikteve me faktorët e tjerë politikë shqiptarë jashtë shtetit të Kosovës.
Sulmet e fundit të lukunisë së tij propagandistike, kundër kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, që morën shkas nga propozimi i tij për draft statutin e Asociacionit, se si ka më shumë dashuri për Serbinë, se sa për Kosovën, apo se dëshiron ta luajë rolin e Ismail Qemalit me mjete të Esat Pashës, paraqesin vetëm një episod në mesin e një fushatë të kahershme kundër tij.
Madje, Albin Kurti kishte tentuar ta sfidonte atë edhe me anë të zgjedhjeve deri sa pësoi një humbje të palavdishme elektorale. Po ashtu as raportet me Ali Ahmetin nuk i ka të shkëlqyera. Edhe në pjesën shqiptare të Maqedonisë së Veriut ai kishte tentuar ta shtrinte rrjetën e pushtetit të tij, duke e instrumentalizuar Blerim Rekën. Por, as këtu nuk kishte pasur sukses. Ndërkohë, prej se ka ardhur në pushtet e ka futur frymën e përçarjes dhe konflikteve edhe në Luginë të Prëshevës.
Dhe kjo politikë sektare nuk është e rastësishme. Ajo buron nga ambiciet e tij të kahershme për ta krijuar një lëvizje pan-shqiptare në kundërshtim me zhvillimet dhe proceset që zhvillohen në realitetin tonë konkret. Sepse sipas të parit të Vetëvendosjes, i gjithë spektri i deritanishëm politik në këto vende, nuk është asgjë tjetër pos një mashtrim optik. Bie fjala, fitoret e vazhdueshme të Edi Ramës apo Ali Ahmetit nuk janë në pajtim me intencën kombëtare të shqiptareve, por në funksion të interesave të tyre parciale. Pra ata edhe pse i fitojnë zgjedhjet, nuk i përfaqësojnë shqiptarët dhe vullnetin e tyre politik dhe demokratik të njëmendtë. Sepse ky vullnet është i shtrembëruar, prandaj me anë të Lëvizjes së tij mund të zbulohet karakteri autentik i këtij vullneti primoridal politik. Bie fjala, si dikur Lenini që e akuzonte Partinë Laburiste britanike, si formacion që është mashtrim për të drejtat e punëtoreve, edhe pse ajo i përfaqësonte ata politikisht dhe institucionalisht. Sepse sipas tij, modeli i vërtetë i përfaqësimit të tyre është një sekkt minor ideologjik.
Ektstrapolimi i kësaj mënyrë të menduarit edhe në terrenin e problemeve tona kombëtare dhe shoqërore e cenon pikërisht karakterin demokratik, se si u zhvillua programi kombëtar i Lëvizjes shqiptare, sidomos pas viteve ’90 të shekullit të kaluar. Ai u formësua si reagim “spontan” nga problemet konkrete të secilës prej shoqërive ku jetojnë shqiptarët në këto shtete. I mungonte një frymë centraliste ideologjike dhe politike, sikur se bie fjala e nacionalizmit serb, nuk e kishte një epiqendër dhe e veçonte karakteri policentrik, model ky për të cilin kanë shkruar shume të tjerë para meje. E, në koherencë me këto parime u artikuluan kërkesat e shqiptarëve, të cilat ishin specifike për Shqipërinë, Kosovën, apo shqiptarët e Maqedonisë. Dhe jo pak rezultate u arritën mbi këtë model.
Kështu, pikërisht tendenca e Albin Kurtit për ta shpërfillur këtë frymë demokratike të programit kombëtar shqiptar me anë të parimeve leniniste të përfaqësimit politik, parime këto që kanë bazë në modelin jakobinist ideologjik, sipas së cilës vetëm një grup i përfaqëson interesat e përgjithshme, e ku “ e vërteta flet nëpërmjet prijësit të saj” dhe të gjitha të tjerat janë mashtrim, i ka ushqyer këto konflikte dhe tensione më faktorët tjerë politikë shqiptarë. Është ky model ku tentohet që në çdo shoqëri të imponohen marioneta politike dhe instrumentale të liderit, sikur se qe tendenca me zgjedhjet në Shqipëri dhe Maqedoni.
Në këtë kontekst, nuk është e rastësishme, që siç ka pohuar sociologu i njohur Jean-Werner Muller, në traktatin e tij politik” Ç’është Populizmi? (What Is Populism?), se edhe sot ekziston një përkitje e çuditshme ndërmjet populizmit dhe doktrinës politike jakobiniste. Kurse, William Galston konstaton se ngjashëm, se edhe populzimin e karakterizon revolta kundër pluralizmit (Anti-Pluralism: The Populist Threat to Liberal Democracy). Apo, siç thotë Jurgen Habermas, sa herë që populli shfaqet politikisht, ai s’mund të shfaqet ndryshe, pos si “kategori plurale”.
Prandaj, shpërfillja e këtij modeli është cënim edhe i karaktetrit demokratik të nacionlizmit shqiptar që u zhvillua ndër vite.