India dhe Bashkimi Europian kanë finalizuar të martën (217.01.2026) një marrëveshje tregtare historike, ka bërë të ditur të martën kryeministri indus, Narendra Modi, derisa të dyja palët po mundohen të mbrohen kundrejt marrëdhënieve të paqëndrueshme me SHBA-në, ka raportuar Reuters.
Pas pothuajse dy dekadash me negociata të ndërprera herë pas here, marrëveshja trason rrugën që India të hapë tregun e madh dhe të mbrojtur, më të populluarin në botë, për tregti të lirë me 27 vende të bllokut europian, partnerin e saj më të madh tregtar.
“Dje u nënshkrua një marrëveshje e madhe ndërmjet Bashkimit Europian dhe Indisë”, ka deklaruar Modi.
“Njerëzit në mbarë botën po e quajnë këtë marrëveshje si amë e të gjitha marrëveshjeve. Kjo marrëveshje do të sjellë mundësi të mëdha për 1.4 miliardë njerëzit e Indisë dhe për miliona njerëz në Europë”, ka shtuar ai.
Modi dhe presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, më vonë gjatë ditës pritet të dalin me një njoftim të përbashkët në një samit Indi–BE në Nju Delhi, së bashku me detajet e marrëveshjes.
Tregtia ndërmjet Indisë dhe BE-së arriti në 136.5 miliardë dollarë në vitin fiskal që përfundoi në marsin e vitit 2025.
Marrëveshja arrihet disa ditë pasi BE-ja nënshkroi paktin kyç me bllokun e Amerikës së Jugut, Mercosur, pas marrëveshjeve të vitit të kaluar me Indonezinë, Meksikën dhe Zvicrën.
Gjatë të njëjtës periudhë, Nju Delhi ka finalizuar marrëveshje me Britaninë, Zelandën e Re dhe Omanin.
Vala e marrëveshjeve vë në pah përpjekjet globale për mbrojtje nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa përpjekja e presidentit Donald Trump për marrjen e kontrollit të Grenlandën dhe kërcënimet me tarifa ndaj vendeve europiane kanë sprovuar aleancat e kahershme ndërmjet vendeve perëndimore.
Trump ka vendosur tarifë prej 50% për mallrat nga India dhe marrëveshje tregtare Indi–SHBA u prish vitin e kaluar pas prishjes së komunikimit mes dy qeverive.
Nënshkrimi formal i marrëveshjes Indi–BE pritet të bëhet pas verifikimit ligjor që pritet të zgjasë pesë deri në gjashtë muaj, ka thënë një zyrtar i qeverisë së Indisë i informuar me çështjen, përcjell Kallxo.com
“Ne presim që marrëveshja të zbatohet brenda një viti”, ka shtuar zyrtari.