Mogherini jep dorëheqje nga posti i rektores pas akuzës për mashtrim dhe korrupsion

Prishtinë | 04 Dhj 2025 | 15:32 | Nga Ekonomia Online

Ish-shefja për Politikë të Jashtme e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, ka dhënë dorëheqje si udhëheqëse e Kolegjit të Evropës pasi iu ngrit aktakuzë për mashtrim dhe korrupsion.

“Në përputhje me rigorozitetin dhe drejtësinë maksimale me të cilat kam kryer gjithmonë detyrat e mia, sot vendosa të jap dorëheqje”, tha Mogherini përmes një deklarate.

Mogherini, që ishte përfaqësuese e lartë për Punë të Jashtme nga viti 2014 deri më 2019 para se të bëhej rektore e kolegjit, u arrestua të martën pas bastisjeve në këtë kolegj dhe në zyrat e shërbimit diplomatik të BE-së.

Mogherini e ka ndërmjetësuar për disa vite dialogun midis Kosovës dhe Serbisë.

Italiania 52-vjeçare u ndalua së bashku me zëvendësrektorin e shkollës dhe Stefano Sanninon, zyrtar i lartë i BE-së që ishte sekretar i përgjithshëm në Shërbimin për Veprim të Jashtëm Evropian nga viti 2021 deri më 2024.

Pasi u mor në pyetje nga policia belge, “tre individët zyrtarisht u njoftuan për akuzat kundër tyre”, tha Zyra e Prokurorit Publik Evropian (EPPO) të enjten, që mbikëqyr hetimin.

“Akuzat lidhen me mashtrim në prokurim dhe korrupsion, konflikt interesi dhe shkelje të sekretit profesional”, shtoi EPPO-ja në njoftim.

EPPO-ja po heton dyshimet për mashtrim që lidhen me një program trajnimi për diplomatët e rinj, të financuar nga BE-ja, i njohur si Akademia Diplomatike e BE-së.

Programi iu dha Kolegjit të Evropës nga Shërbimi i Jashtëm i BE-së në periudhën 2021-2022 dhe hetimi përqendrohet në atë nëse procesi tenderues është devijuar për të favorizuar këtë shkollë.

Mogherini e kishte udhëhequr Kolegjin e Evropës nga viti 2020 dhe më 2022 po ashtu mori drejtimin e Akademisë Diplomatike të BE-së.

Kontrata në fjalë kishte vlerën e 650 mijë eurove, raporton AFP duke cituar një burim evropian.

Të mërkurën, Sannino, i dyshuar në këtë rast, po ashtu njoftoi për dorëheqje nga posti i tij aktual në Komisionin Evropian, duke theksuar se do të dalë në pension në fund të muajit./rel

Të ngjashme