Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, pas takimit që kishte me përfaqësuesen e lartë të BE-së, Federica Mogherini mbajtën edhe një konferencë për media.
Mustafa tha se kanë biseduar për tema të rëndësishme që e preokupojnë Kosovën. Ai ka theksuar se e ardhmja e Kosovës është në BE, raporton Ekonomia Online.
” Kosova e sheh ardhmërinë e saj në familjen e BE-së. E informova se me përkushtim po punojmë në zbatimin e MSA, prioritet mbetet sundimi i ligjit, punësimi, zhvillimi ekonomik, e njoftova po ashtu për dialogun se jemi të gatshëm të vazhdojmë dialogun me Serbinë edhe përkundër kundërshtimeve që i kemi nga pozita. Po ashtu e njoftova edhe për mos gatishmërinë e Serbisë siç është mos prania e deputetëve serbë në Parlamentin e Kosovës. Do të punojmë në implementimin e të gjitha marrëveshjeve”, tha ai.
Mustafa tha, se ka shprehur përkushtimin për zbatimit e marrëveshjes për Asociacionin, por kjo po pengohet nga Lista Serbe e cila po bojkoton Kuvendin.
Mustafa theksoi se po punojnë që Kosova të jetë faktor i stabilitetit dhe paqes në rajon, por se gjithsesi mbesin të interesuar që relacionet t’i zhvillojnë në drejtim të Bashkimit Evropian.
Ai tha se kanë kërkuar ndihmë nga BE-ja në kapërcimin e krizës së demarkacionit.
“Qytetarët po mbesin peng i këtij kriteri dhe nuk po mund të lëvizin lirshëm si qytetarët e tjerë. E njoftova po ashtu se do të kemi rritje ekonomike për 4%, e po ashtu edhe se është përmirësuar gjendja e të bërit biznes”, ka deklaruar Mustafa.
Kurse përfaqësuesja Mogherini ka thënë se kjo për të nuk është vetëm vizitë e radhës, por është pjesë e vizitës në rajon. Sipas saj Ballkani po i ekspozohet tensioneve.
“Kam pasur takime të mira me krerët e institucioneve kosovare. Kjo nuk është vetëm një vizitë tjetër, mirëpo është vizitë kur Ballkani është në një situate te tensionuar. Ky është një mesazh i BE-se që ne na intereson rajoni dhe një investim për një të ardhme të përbashkët. Kemi folur për implementimin e marrëveshjes për Stabilizim Asociim”, ka thënë ajo.
“Ndryshimet janë të mundshme dhe arritjet janë bërë dhe mund të bëhen nëse vazhdojmë me bashkëpunim të mirë. Biseduam për atë që BE-ja ta mbështes Kosovën në rrugën drejt BE-së. MSA-ja është e arritur shumë e madhe për këtë vend”, tha ajo.
Ajo foli edhe për liberalizimin e vizave, duke porositur deputetët që ta miratojnë Demarkacionin për ta zhbllokuar liberalizimin e vizave.
“Propozimi i Komisionit Evropian ishte i qartë janë dy kushte para se të bëhet liberalizimi dhe ato janë Kosova ta përmirësojë luftimin e krimit dhe korrupsionit dhe i dyti ratifikimi i demarkacionit dhe këtu fatkeqësisht që nga viti i kaluar nuk ka pasur progres. Dëshiroj të ju them shumë qartë është koha që të votoni ratifikimin e marrëveshjes me Malin e Zi. Kjo do ta zhbllokojë liberalizimin e vizave”, ka thënë ajo.
“ Jam e bindur se partitë politike, grupet parlamentare do i mbajnë dallimet në politikë që janë vitale dhe të rëndësishme. Partitë politike e kanë të qartë që kur vjen puna te interesat e popullit siç është liberalizimi, ata e kanë përgjegjësinë t’i kalojnë qasjet politike. Besoj se partitë politike do të pajtohen dhe do ta kalojnë marrëveshjen e demarkacionit. Populli i Kosovë e meriton liberalizimin e vizave”, ka theksuar Mogherini.
“Biseduam po ashtu edhe për situatat e fundit dhe tensionit. Është me rëndësi që këto të tejkalohen dhe disa janë tejkaluar”.
Ajo tha se dialogu nuk bëhet për hir të Brukselit, por ky është në shërbim të popullit të Kosovës me qëllim që të gjejnë zgjidhje për çështjet që janë në tavolinë. Po ashtu tha se biseduan edhe për implementimin e marrëveshjeve.
“BE-ja dhe unë ju garantoj që këto marrëveshje do të implementohen”.
Ajo ka folur edhe për Mitrovicën dhe urën duke thënë se kjo do të lehtësojë kontaktet mes qytetarëve të Mitrovicës.
” Kjo ndërlidhet me dialogun. Është përgjegjësi e jona që të tregojmë se kur bëhet progres kemi çështjen e kodit telefonik dhe kjo ndodhë krejt fal punës së zellshme”, tha ajo.
Përfaqësuesja e Lartë e BE’së, Frederica Mogherini ka thënë se pret lajme të mira nga Parlamenti i Kosovës për të ratifikuar demarkacionin me Malin e Zi.