Moise Kean është një nga lojtarët më të talentuar në botë; një reprezentues i Italisë, një kampion i Serie A me Juventusin dhe një figurë e rëndësishme në luftën kundër racizmit, ndërsa ende është tinejxher.
“Sportmail” ka analizuar sulmuesin dinamik që është pranë transferimit tek Evertoni nga Juventusi për 40 milionë euro, transmeton Koha Ditore.
E ardhmja e futbollit italian
Ai vlerësohet si e ardhmja e futbollit italian. Një sulmues i fuqishëm dhe i shkathtë, Kean 19-vjeçar ka shënuar shtatë herë për Juventusin stinorin e kaluar në 16 ndeshje dhe ka luajtur tri ndeshje me përfaqësuesen e Italisë, duke shënuar dy gola në eliminatore për Evropianin 2020 në mars kundër Finlandës e Lihtenshtajnit.
Super-agjenti Mino Raiola mund të pikasë talentet dhe ka marrë Keanin herët në radhët e veta, ku janë edhe emrat si Matthijs de Ligt, Gianluigi Donnarumma, Zlatan Ibrahimoviq e Paul Pogba.
Moise Kean, derisa po rritej idhull kishte Mario Balotellin. Kean mund të luajë në çfarëdo pozite në sulm dhe mund të mposhtë mbrojtësit kundërshtarë me fuqi, shpejtësi marramendëse apo edhe me shkathtësi. Ai po ashtu di të shënojë edhe gola të lehtë, duke u gjetur në vendin e duhur në kohën e duhur. Mund të paramendoni një lojtar me shkathtësi të Kylian Mbappes dhe fizik të Balotellit.