Moldavia i ndalon 12 serbë, dyshohet se tentuan të kryenin puç

Prishtinë | 14 Shk 2023 | 13:49 | Nga Ekonomia Online

Moldavia i ka ndaluar 12 shtetas serbë, me dyshimin se kanë planifikuar të kryenin puç nëpërmjet protestave të organizuara nga opozita, raportoi mediumi kroat “Index” të martën.

Presidentja e Moldavisë, Maia Sandu, deklaroi se plani rus për puç u tentua të bëhej nga persona të trajnuar nga vendet si Bjellorusia, Serbia dhe Mali i Zi.

“Plani përfshiu sabotim dhe njerëz të trajnuar, ushtarakë të armatosur si civilë, në mënyrë që të mund të kryheshin veprime të dhunshme, sulme ndaj objekteve qeveritare dhe marrje pengjesh”, deklaroi Sandu, duke shtuar se kjo nuk është hera e parë që Rusia tentoi të kryente veprime të tilla në Moldavi.

Autoritetet moldaviane thanë se të ndaluarit janë tifozë të Partizanit.

Policia kufitare i tha shërbimit të Moldavisë të Radio Evropës së Lirë se atyre iu refuzua hyrja në Moldavi, me arsyetimin se nuk i plotësojnë kushtet për të kaluar kufirin shtetëror.

“Ata nuk mund të justifikonin qëllimin e udhëtimit të tyre në Moldavi dhe nuk kanë dokumentet e nevojshme në këtë drejtim”, thuhet në njoftim.

Një pjesë e tifozëve të skuadrës së futbollit të Partizanit u kthyen nga Kishinau në Beograd mëngjesin e 14 shkurtit, pasi iu dha zyrtarisht vendimi për ndalimin e hyrjes në atë vend, është bërë e ditur në një nga llogaritë e tifozëve të Partizanit në Instagram.

Siç thuhet, ata kanë udhëtuar drejt Moldavisë për ndeshjen ndërmjet Partizanit dhe Sherifit të Tiraspolit në kuadër të Ligës së Konferencës.

Gjithashtu u bë e ditur se pjesa tjetër e tifozëve do të largohet nga Moldavia pas orës 14:00, me fluturimin për në Bukuresht.

Klubi i futbollit Partizani ka deklaruar përmes një njoftimi se Federata e Futbollit të Moldavisë, me urdhër të shërbimit të sigurimit të Moldavisë, ka vendosur që ndeshja mes skuadrave Sherif nga Tiraspol dhe Partizani nga Beogradi të luhet pa praninë e publikut.

“KF Partizani, së bashku me ministrinë e Punëve të Jashtme të Serbisë, po i ndërmerr të gjitha masat e sigurisë për qëndrimin e qetë të ekipit dhe përfaqësuesve të klubit në Moldavi”, thuhet në njoftim. Klubi i futbollit Partizani njoftoi tifozët se hyrja në Moldavi dhe ndjekja e ndeshjes nuk është e mundur dhe u kërkoi që të mos udhëtojnë.

Në përgjigje për REL-in thuhet se tifozët që nuk kanë mundur të hyjnë në Moldavi, e kanë organizuar udhëtimin në mënyrë personale.

Të ngjashme