Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, e ka cilësuar kryeministrin e vendit, Albin Kurtin, “kryeministër të dezinformimit”.
Kjo pasi siç ka thënë, Kurti në fjalimin e tij në Kuvend në ceremoninë e Pavarësisë së Kosovës, ka sulmuar mediat dhe kundërshtarët politikë për dezinformim.
“Keqpërdori datën për ta përvjedhur propagandën. Kjo kërkesa për korrektësi duhet dekonstruktuar. Fjalimi nuk ishte thirrje për ndriçimin e të vërtetave, por krijimin e një të vërtete zyrtare. Pra, a nuk është duke u implikuar një e vërtetë e vetme, dhe çdo gjë tjetër është dezinformim?”, ka shkruar Molliqaj në Facebook.
“Gjysmë të vërtetat enden gjithandej, por ato nuk i rregullon dot Qeveria. Në anën tjetër, pa mediat e lira në vend të kërkesave për rritje pagash, do të ishim duke e ngrënë idilikën e “mrekullisë ekonomike” të Qeverisë që na tregon se u rrit eksporti, por nuk na thotë sa u rriten importet”.
Mes tjerash, i pari i PSD-së është shprehur se e drejta e lirisë së shprehjes nuk mund të ipet e as të merret nga “një autoritet sipër”.
“Liria dhe të drejtat na takojnë dhe nuk na duhet garanci për ushtrimin e tyre. Nevoja për t’u dukur demokrat zbuloi tendencën për ta kontrolluar edhe hapësirën që buron nga qytetaria dhe mediat e lira”.
“Në fakt, lajmet e rreme po prodhohen nga kjo Qeveri. Rritja e çmimit të energjisë është rasti i fundit i tendecës për mashtrim, që nuk i shkoi gjatë. Paramendoni nëse nuk do të kishte media të lira dhe protesta qytetare? E vërteta zyrtare do të lulëzonte, apo jo?”.