Molliqaj: Kurti po e heqë taksën sepse i është nënshtruar projektit të vjetër negociues me Serbinë

Prishtinë | 27 Shk 2020 | 20:02 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, e ka përshkruar vendimin e Albin Kurtit për ta hequr taksën 100 përqind si presion ndaj pozitës së tij si shef qeverie.

“Për të ardhur në pushtet, Kurti dhe VV-ja e zhveshën vetën nga çdo parim e projekt politik. Hoqën dorë nga çdo kauzë mbi të cilën u ndërtuan e nga çdo premtim madhor që e kishin bërë. Por s’mjaftoi ardhja në pushtet. Tash Kurti don që ta mbajë pushtetin me çdo kusht. E për ta mbajtur pushtetin, ka filluar ta zhveshë Kosovën nga çfarëdo pozicioni i drejtë e i volitshëm negociues”, ka thënë Molliqaj përmes Facebook.

“Kurti po e heq taksën ndaj Serbisë, jo sepse ka projekt të vetin përmes të cilit do ta zgjidhë problemin në mes Kosovës e Serbisë. Sepse nga projektet e tij tashmë është zhveshur. Kurti po e heqë taksën veç për shkak të presionit që po i bëhet karriges së tij të Kryeministrit”.

“Kurti po e heq taksën – kërkesë kjo që vjen nga Serbia – jo për të zbatuar një plan alternativ; jo për të vendosur reciprocitetin që e premtoi; as për të zhvilluar një dialog të ri, në baza të reja e me plan të ri. Kurti po e heq taksën sepse i është nënshtruar tërësisht projektit të vjetër negociues me Serbinë; sepse i është nënshtruar çfarëdo projekti që i ofrohet e që ia ruan pushtetin”.

Të ngjashme