Molliqaj: Partitë opozitare vënë bast që Kurti s’do bëjë marrëveshje, planifikonin bashkëqeverisje

Prishtinë | 10 Maj 2023 | 22:24 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, deklaroi që partia e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, kanë vendosur bast, që kryeministri i vendit, Albin Kurti, nuk do ta bëjë marrëveshjen, e në këtë mënyrë, të trija partitë së bashku me faktorin ndërkombëtar, do ta rrëzojnë Kurtin e ta formojnë vetë Qeverinë.

Këtë deklaratë Molliqaj e dha në emisionin “Këndi i Debatit”, derisa shtoi që Qeveria Kurti e ka mashtruar popullin duke mos treguar që brenda marrëveshjes do ta bëjë vetëm Asociacionin.

“I kam takuar LDK-në dhe PDK-në, ata ndihen të shantazhuar nga e kaluara e tyre në dialog. Unë u kam thënë që nuk ka kuptim të mbesin peng e të kaluarës. Por, dëmi më i madh është diku tjetër. Të tri partitë njëzëri, kanë vendosur krejt bastet çka i kanë, që Albin Kurti, nuk do ta bëjë marrëveshjen, e ata së bashku me faktorin ndërkombëtarë do ta rrëzojnë Kurtin dhe do të bëhen vetë Qeveri.

Qeveria jonë, na ka gënjyer e mashtruar duke na thënë që këto janë çështje të ndara. Kanë thënë që nga procesi i dialogut, Kosova do të fitojë njohjen e 5 vendeve. Neve Qeveria nuk na ka thënë që në marrëveshjen që po e bëjnë, do ta bëjnë vetëm Asociacionin dhe do ta marrim liberalizimin e vizave. S’na ka thënë”, deklaroi Molliqaj në Tëvë1.

Madje sipas Molliqaj, duke u bazuar nga politikbërja në Kosovë që pjesa parlamentare i ka bërë opozitës, i bie që në Kosovë s’ka fare opozitë, shkruan teve1.info.

“Ajo që besoj unë, është që ti je pakicë derisa i nënshtrohesh shumicës. Me këtë pranim në start të kornizave të politikbërjes në Kosovë që i ka bërë pjesa parlamentare opozitës, praktikisht i bie që s’ka opozitë. Nuk është që s’ka opozitë pse s’folin ata, ose kanë votues më pak, ose që kanë diçka tjetër më pak se ne. Problemi i tyre është se ata e kanë pranuar kornizën. Kur janë zgjedhur dy

kryetarët e dy partive më të mëdha opozitare parlamentare, ne kemi thënë që këta janë kryetarë të zgjedhur nga hegjemonia e kryeministrit Kurti. Këta kryetarë, janë kryetarë të zgjedhur nga ajo çka Kurti ka menduar që është mirë për LDK-në dhe për PDK-në”, shtoi tutje Molliqaj.

Ndër të tjerash, Molliqaj vlerësoi që 2023-ta është vit krejtësisht i dialogut.

“Tjerat tema janë anësore. Unë kam thënë që nuk pajtohem, sepse aty nuk ka përfitime për Kosovën, nuk ka njohje nga 5 vendet”, theksoi Molliqaj./teve1.info/.

Të ngjashme