Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj ka thënë se për kryeministrin Albin Kurti, reciprociteti ndaj Serbisë ka shumë kohë që nuk është zgjidhje e problemeve.
Molliqaj ka shtuar se deklarata e sotme e ministres Hajdari e dëshmon që çështja e reciprocitetit kur ra Qeveria Kurti 1 ishte një farsë elektorale dhe një garë personale se kush do t’iu printe negociatave.
“Historia jonë politike i njeh dy rryma kryesore përballe Serbisë: ata që ishin për vetëvendosje deri në shkëputjen përfundimtare; dhe qasjen autonomiste, qasje që i frikësohet shkëputjes së lidhjeve me Serbinë”, ka shkruar Molliqaj.
Postimi i plotë:
Për Kurtin ka shumë kohë që reciprociteti ndaj Serbisë nuk është zgjidhje e problemeve.
Deklarata e sotme e ministres Hajdari e dëshmon që çështja e reciprocitetit kur ra Qeveria Kurti 1 ishte një farsë elektorale dhe një garë personale se kush do t’iu printe negociatave. Aty kishte gjithçka pos parimeve siç mundoheshin t’i promovonin ata.
Historia jonë politike i njeh dy rryma kryesore përballe Serbisë: ata që ishin për vetëvendosje deri në shkëputjen përfundimtare; dhe qasjen autonomiste, qasje që i frikësohet shkëputjes së lidhjeve me Serbinë. Qasja autonomiste nuk e sheh dot problemin në sy sepse udhëhiqet prej frikës dhe instinktit të vetëruajtjes. Kurti qartazi ka ndërruar anë, ai sot shmanget, ikën, dhe pastaj drejt kompromiseve që nuk zgjidhin asgjë. Qasja autonomiste prodhon nënshtrim, rrjedhimi i saj logjik është autonomia përmes Asociacionit.