Molliqaj: Tepër e rëndësishme për demokracinë dhe parlamentarizmin që PSD-ja të hyjë në Parlament

Prishtinë | 28 Jan 2024 | 12:32 | Nga Valmire Abdullahu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, në fjalën e tij në Kuvendin Zgjedhor të partisë, tha se PSD-ja është themeluar në kushte të rënda dhe ndryshe prej partive të tjera, e ka dëshmuar se nuk përkulet para pushtetit.

“Ne e kemi filluar aksionin politik kundër pushtetit kur numrat arritën kulmin, kurse propaganda qiellin. Në kushte të tilla horizontet mbyllen dhe e vërteta vështirë mendohet. Në këto kushte, edhe për njerëzit normal thjesht kritika duket marrëzi. Ne kemi zgjedhur të veprojmë në këto kushte. Në kushtet kur vala e madhe i merr të gjithë: i merr ata që e mendojnë karrierën; i merr oportunistët që sa herë ndërrohet pushteti e rizbulojnë vetveten në rrobën e re; I heshtë edhe mendjet e ftohta sepse zjarri i etiketave, sharjeve e linçimeve nuk lë hapësirë për normalitetin e tyre”.

Sipas Molliqajt, beteja e radhës për PSD-në është strukturimi dhe shtrija në qytete dhe fshatra.

“Prandaj ftoj secilin që të bashkohet në punë me ne për këtë qëllim. Por mos të harrojmë sfidën tonë që kemi përpara për ta bërë partinë tone parlamentare. Unë besoj fuqishëm që nuk ka asgjë më të rëndësishme për demokracinë dhe parlamentarizmin në Kosovë sesa PSD të bëhet forcë parlamentare në zgjedhjet që kemi përpara. Kur qytetari e përfytyron parlamentin e ardhshëm është e qartë që veç një gjë e bën dallimin, nuk është numri i ndryshëm i deputetëve të VV, PDK, LDK, apo AAK por prezenca e deputetëve të PSD-së”.

FJALA E PLOTË E MOLLIQAJT:

Të dashur delegatë të Kuvendit të PSD-së, aktiviste e aktivistë, mysafirë të nderuar!

PSD është themeluar në kushte të rënda. Ne e kemi filluar aksionin politik kundër pushtetit kur numrat arritën kulmin, kurse propaganda qiellin. Në kushte të tilla horizontet mbyllen dhe e vërteta vështirë mendohet. Në këto kushte, edhe për njerëzit normal thjesht kritika duket marrëzi. Ne kemi zgjedhur të veprojmë në këto kushte. Në kushtet kur vala e madhe i merr të gjithë: i merr ata që e mendojnë karrierën; i merr oportunistët që sa herë ndërrohet pushteti e rizbulojnë vetveten në rrobën e re; I heshtë edhe mendjet e ftohta sepse zjarri i etiketave, sharjeve e linçimeve nuk lë hapësirë për normalitetin e tyre.
Secili që ka ecur me ne në këto kushte; secili që na ka mbështetur; që e ka thënë një fjalë ose e ka bërë një ndihmë, e ka bërë këtë thjesht dhe vetëm nga bindja e tij. Nga bindja e tij dhe shqetësimi mbi të ardhmen e vendit. Nuk ka ardhur për pushtet, për tendera, as për ndonjë tjetër llogari. Kur ka ardhur, ka gjetur aksion, përballje dhe shoqëri. Domethënia e lirisë shpaloset më mirë, e jehona e saj frymëzon më shumë pikërisht kur e refuzon pushtetin dhe i merr përsipër pasojat. Ne e kemi zgjedhur lirinë sepse iu besojmë njerëzve, e rrugës po gjejmë edhe shoqëri.

Fillimet e aksionit politik e kanë gjetur PSD-në nën akuzat për komplote e rekrutime, për pazare e mashtrime. Akuza këto, struktura e të cilave është tipike për regjimet totalitare. Këto akuza sot janë qesharake dhe nuk i beson askush. Është kështu jo thjesht sepse ne kemi qëndruar në kohë, por sepse nuk i kemi përbrendësuar kurrë. Ndryshe prej partive tjera, kemi refuzuar të arsyetohemi ose dëshmohemi para tyre. Ata nuk janë as instance morale, as ideologjike për ne. As akuza, as fjala e tyre nuk janë brenda horizontit të vlerave tona. Duke qenë kështu, ne shqetësohemi nëse do të na lavdëronin. PSD ka vazhduar me kritikë dhe aksion, kurse zhvillimi i ngjarjeve e ka konfirmuar qëndrimin tonë. Jemi para formimit të Asociacionit, kurse njohja reciproke nuk është as afër. Kur kritika konfirmohet, e qëndrimi tregon vërtetësi, edhe përshkrimi për ty ndryshon. Disa na thonë e keni personale, kurse shumica na thonë jeni pak. Veçse, kur kritika zhvendoset nga qenia jote dhe motivet tua, tek numri, a i bije kjo që pozicionet tona tashmë nuk po kontestohen, qe ne kemi të drejtë? Kjo është gjëja më e rëndësishme për ne. Sepse numra kemi pasur edhe atje ku kemi qenë, qe besa edhe pozita.

Pushteti andej sheh mundësi te mjetet dhe kontrolli. Ne kemi shpresë sepse i besojmë njeri-tjetrit. Ata punojnë me diktat për t’u dëshmuar, atje ku meritë është veç servilizmi. Ne e kemi dëshmuar luftën kundër pushtetit që nënshtron. Aty luftohet me bërryla për t’u përulur në fund. Beteja jone është krah për krah.

Ketë vit kemi dy beteja me rëndësi. Ky vit do të nis instalimin e autonomisë për serbët në Kosovë. Duke besuar thellësisht që kjo do të çojë vendin në ndarje edhe më të thellë dhe shoqërinë edhe më shumë në konflikt, është detyrë e jona të punojmë me qytetarët për ta kundërshtuar një projekt të tillë.

Beteja e radhës për PSD është strukturimi dhe shtrija në qytete dhe fshatra. Prandaj ftoj secilin që të bashkohet në punë me ne për këtë qëllim. Por mos të harrojmë sfidën tonë që kemi përpara për ta bërë partinë tone parlamentare. Unë besoj fuqishëm që nuk ka asgjë më të rëndësishme për demokracinë dhe parlamentarizmin në Kosovë sesa PSD të bëhet forcë parlamentare në zgjedhjet që kemi përpara. Kur qytetari e përfytyron parlamentin e ardhshëm është e qartë që veç një gjë e bën dallimin, nuk është numri i ndryshëm i deputetëve të VV, PDK, LDK, apo AAK por prezenca e deputetëve të PSD-së. Ju ftoj juve këtu e qytetarët jashtë që te bashkohemi në këtë përpjekje të rëndësishme. Unë besoj të ju dhe qytetarët, prandaj besoj edhe më fuqishëm në këtë fitore.

Me leojni krejt në fund të falenderoj nga zemra të gjithë aktivistët, strukturat e PSD- së për bashkpunimin dhe besimin në këtë periudhë që lam pas.

Asnjëherë nuk mundem pa falënderuar mediat për bashkëpunimin shkëlqyeshëm që kemi pasur.

Krejt në fund i uroj punime të mbara këtij kuvendi dhe zgjedhje të suksesshme të strukturave të reja.

Të ngjashme