Një traget pasagjerësh me 267 persona në bord është përmbysur të dielën në ujërat pranë Qipros Veriore, pak pasi ishte nisur nga porti i Kyrenias.
Sipas autoriteteve, në bord ndodheshin 259 pasagjerë dhe 8 anëtarë të ekuipazhit. Trageti ishte nisur drejt portit turk Tasucu, në provincën e Mersinit, kur filloi të merrte ujë rreth 7.5 kilometra larg bregut.
Ministri i Transportit i Qipros Veriore, Erhan Arıklı, bëri të ditur se rreth 100 persona janë evakuuar dhe nxjerrë në breg, raporton Anadolu.
Në vendngjarje janë mobilizuar ekipet e kërkim-shpëtimit dhe shërbimet mjekësore, ndërsa pamjet tregojnë pasagjerë me jelekë shpëtimi në ujë pranë tragetit të përmbysur.
Operacioni i shpëtimit po vazhdon, ndërsa autoritetet pritet të përcaktojnë shkaqet që çuan në marrjen e ujit dhe përmbysjen e tragetit.