Mesditën e së dielës, një grua është rrahur brutalisht nga një burrë, në një market në Prishtinë. Feim Berisha, është kapur nga kamerat e sigurisë së marketit në Prishtinë, derisa ka rrahur brutalisht 41-vjeçaren. Pas kësaj, policia ka arritur në vendngjarje, ku ka arrestuar 46-vjeçarin
Express ka publikuar videon nga momenti kur policia arreston 46-vjeçarin, i cili rrahu brutalisht një grua në një market në Prishtinë.
Ndryshe, të martën Prokuroria Themelore e Prishtinës ka njoftuar se prokurori i shtetit ka paraqitur kërkesën që ndaj të dyshuarit të shqiptohet masa e paraburgimit.
Në njoftimin e Prokurorisë, është bërë e ditur se F.B. dyshohet për veprën penale “Sulmi”.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se Departamenti i Përgjithshëm, me aktvendim të prokurorit të shtetit ka ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh personin me inicialet F.B., për shkak të dyshimit se i njëjti ka kryer veprën penale “Sulmi”, nga neni 184 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. “Rasti ka ndodhur më 24.10.2021, në njërin market në Prishtinë, ku personi i lartcekur dyshohet se me grushte ka sulmuar një grua dhe të njëjtës i ka shkaktuar lëndime trupore, me ç’ rast e dëmtuara ka pranuar trajtim mjekësor, andaj prokurori i shtetit, më 25.10.2021, ndaj të dyshuarit ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente”, ka bërë të ditur Prokuroria.